Maqedoni
Han: Maqedonia të përmbush detyrimet europiane; Zaev: Maqedonia të jetë pjesë e BE-së para vitit 2020
20.11.2017 18:06
Eurokomisioneri, Johanes Han, gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin, Zoran Zaev...

Eurokomisioneri, Johanes Han, gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin, Zoran Zaev, deklaroi se Komisioni Europian dhe vendet anëtare të Bashkimit Europian shohin më pozitivisht zhvillimet në vend dhe mundësinë për fillim të negociatave.
Han vlerësoi se është arritur rezultat pozitiv në planin reformues, por duhet ende përkushtim për reforma në shërbimin e sigurisë, gjyqësorit dhe administratës. Nëse Bashkimi Europian është qëllim i gjithë vendit, atëherë duhet që të gjithë të punojnë në këtë drejtim dhe në këtë rast duhet dhe opozita të bëjë kritika konstruktive dhe të ndihmojë që të respektohen afatet dhe datat për dialogje, porositi Han.
“Kemi arritur shumë, por tani është e rëndësishme që të vrapojmë në kilometrin e fundit dhe të mbarojë kjo maratonë, diçka të bëhet, dhe me kënaqësi dëgjoj për projektet e ndryshme që ndërmerren që të arrihen rezultate, me çka na mundësojnë të dërgojmë porosi pozitive”,- u shpreh eurokomisioneri për zgjerim i BE-së, Johanes Han.
Kryeministri, Zoran Zaev, gjatë takimit potencoi se që kur qytetarët treguan vullnetin e tyre politik për ndryshime, procesi reformues ka filluar dhe asnjëherë nuk do të pushojmë së punuari për t’i arritur të gjitha rekomandimet nga institucionet e BE-së dhe atyre ndërkombëtare. Zaev pret ftesë për anëtarësim në NATO vitin e ardhshëm dhe pret që Maqedonia të bëhet pjesë e BE-së para vitit 2020.
“Iniciativat reformuese në vend dhe aktivitetet në politikat e jashtme asnjëherë nuk kanë qenë më dinamike. Intensivisht punojmë në përmirësim të raporteve me të gjithë fqinjët tanë, përfshirë edhe Greqinë, ku bashkërisht punojmë intensivisht për zgjidhjen e problemeve. Për atë presim me të drejtë vendi të jetë pjesë e strategjisë për zgjerim të Bashkimit Europian, e paraparë të ndodhë në janar të vitit të ardhshëm”,- tha kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.
Han, gjatë takimit përsëriti se në dokumentin për planin strategjik të Bashkimit Europian do të jenë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në drejtim të perspektivave të tyre eurointegruese.
GAZMEND RAMADANI
