Kriza e refugjatëve, sfidë për vendet e Ballkanit

21.11.2017 13:54

Kriza e refugjatëve vazhdon të sfidojë vendet e rajonit....

Kriza e refugjatëve vazhdon të sfidojë vendet e rajonit, ajo nuk ka përfunduar. Stina e verës mund sërish t’i vendos vendet e Ballkanit para sfidës, andaj vendet e Ballkanit duhen të jenë të gatshëm dhe të trajnuar mirë për të përballur dhe për ta menaxhuar situatën me sukses.

Për këtë arsye, fakultetet filologjike dhe të sigurisë të Maqedonisë, Kroacisë dhe Bosnjë e Hercegovinës do të organizojnë shkolla verore për përgatitjen e studentëve dhe qytetarëve për përballjen më të mirë në këtë drejtim.

“Shkollat verore në një farë mënyre do të mundësojnë të përgatiten kuadro, persona më cilësorë dhe më të trajnuar, me të cilët do të mund të përballemi me sukses me fluksin e ardhshëm eventual të refugjatëve”,- deklaroi dekani i Fakultetit Filologjik - Maqedoni, Ratko Duev.

Përveç Maqedonisë, edhe Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina po përgatiten në të njëjtën mënyrë me fluksin e ri të emigrantëve. Përfaqësuesit e këtyre dy vendeve thonë se emigrantët janë kërcënim real i Ballkanit, i cili kësaj radhe nuk duhet të na kapë të papërgatitur.

“Çdo përgatitje e kuadrove është e mirëseardhur dhe mund të kontribuojë dukshëm në menaxhimin e suksesshëm me krizën e refugjatëve në të ardhmen, sepse kjo çështje në Ballkan ende nuk ka përfunduar dhe duhet pasur shumë dijeni që të gjithë të jemi të gatshëm në të ardhmen”,- theksoi dekani i Fakultetit Filologjik – Kroaci, Ivan Nagj.

“Në rast se nuk edukohemi përmes trajnimeve të ndryshme, shkollave verore dhe debateve, mendoj që sërish mund të jemi të hutuar dhe të jemi  të papërgatitur, sepse krizat e refugjatëve në përgjithësi asnjëherë nuk ndodhin papritmas, por ato kanë vazhdimësi dhe japin kohë për të përgatitur, vetëm duhet mobilzim i të gjithëve”,- tha dekani i Fakultetit të Sigurisë – BH, Nexhat Koraliq.

Shkollat verore janë paraparë të organizohen në qershor të vitit të ardhshëm dhe të njëjtat do të zgjasin 10 ditë. (Rexhep Qamili, TVM2)