Çmimet rriten, qytetarët i zgjedhin produktet më të lira
Në muajin kur myslimanët më shumë i kushtojnë rëndësi ushqimit, vendosëm të dalim në teren dhe të shikojmë për së afërmi nëse çmimet në treg kanë lëvizur.........

Në muajin kur myslimanët më shumë i kushtojnë rëndësi ushqimit, vendosëm të dalim në teren dhe të shikojmë për së afërmi nëse çmimet në treg kanë lëvizur. Shitësit thonë se çmimet kanë lëvizur, disa artikuj janë rritur, por të tjerët janë ulur në varësi të kërkesës së konsumatorëve.
“Jo nuk i kemi shtrenjtu, por i kemi liruar, se është “Ramazan””, tha një shitës.
“Jo absolutisht jo, janë edhe më lirë”, theksoi një shitës.
“Disa prodhime kanë pësuar ndryshime, çmimet janë rritur, specat, domatet, ndërsa patatja është më lirë dhe lakra po ashtu”, u shpreh një shitës.
“Çmimet janë të përshtatshme, për shkak se janë prodhime tona, domatet janë 40 den. specat 50 den., trangujt 20 den., lakra 15 den. dhe karotat 30 den.”, potencoi një shitës.
“Dardhat 50 den., nektarina 50 den., kumbulla 50 den.,qershia 150 den., kajsitë 70 den., pjepri 70 den. dhe shalqiri 20 den.”, tha një shitës.
Por, blerësit ankohen, çmimet sipas tyre po rriten çdo ditë, por as rrogat as pensionet nuk po rriten njësoj me çmimet.
“Për ata lirë, për ne shtrenjtë janë, pensioni është i vogël, s’del”, tha një blerës.
“Çmimet janë reale, rrogat katastrofë, me këtë rrogë këto çmime nuk përputhen assesi”, u shpreh një blerës.
Para dy ditësh, për 5 den. është shtrenjtuar edhe produkti elementar, buka, por bukëpjekësit thonë se kjo rritje nuk vjen si pasojë e “Ramazanit”.
“Buka nuk është shtrenjtuar për shkak të “Ramazanit”, por në përgjithësi është shtrenjtuar buka edhe nëpër furrat tjera, kështu që jemi detyruar edhe furra jonë me shtrenjtuar. Buka për momentin është 25 den.. Buka më herët ka qenë 20 den., mirëpo para “Ramazanit” e kanë shtrenjtuar të gjithë”, u shpreh shitësi në furrën “KS”, Taulant Çollaku.
Por, me gjithë luhatjen e çmimeve, në këtë muaj të agjërimit jo të gjithë kursejnë. Tregu ofron cilësi prodhimesh për çdo xhep dhe qytetarët përpiqen të mbushin sa më mirë tryezat e tyre. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)