Maqedoni
Han: BE mbeshtet reformat në Maqedoni
21.11.2017 15:54
BE do të ndihmojë në përmirësimin e gjendjes në sektorin e punësimit, arsimit dhe të punëve sociale...

BE do të ndihmojë në përmirësimin e gjendjes në sektorin e punësimit, arsimit dhe të punëve sociale me një ndihmë prej 37,5 milion euro.
Kështu deklaroi eurokomisari, Johanes Han, në ditën e dytë të vizitës së tij në Shkup.
“Në vendin tuaj deri më tani kam qenë shumë herë për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës politike, por tani jam i kënaqur se mundemi ta tërheqim vëmendjen nga kriza politike dhe të përqendrohemi në aktivitetet që drejtojnë kah e ardhmja. Hap pas hapi kthehemi në normalitet. Kjo është mundësi e mirë për vendin, sepse tani mund të fokusohet në punët më thelbësore, ndërsa kjo nënkupton të punohet në shërbim të qytetarëve, t’u mundësohet të kualifikohen dhe të punësohen”,- deklaroi eurokomisari për zgjerim, Johanes Hahn.
Eurokomisari Hahn u prononcua edhe për zgjidhjen e kontestit me emrin.
“Ajo që po ndodh është pozitive, se ka hapa në kontinuitet për ndërtimin e besimit. Ka pasur kontakte mes dy shteteve. Mirë është që z. Bujar Osmani, si përfaqësues i qeverisë, do të udhëtojë në Greqi, ndërsa edhe këtu ishte për vizitë ministri i jashtëm grek. Mirë që ka edhe marrëveshje me Bullgarinë, që do të ratifikohet edhe në parlament para vitit të ri. Fqinjësia e mirë është masë shumë e rëndësishme. Jam i sigurt se nëse ka vullnet politik mund të gjejmë zgjidhje”,- u shpreh eurokomisari për zgjerim, Johanes Hahn.
Zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani, vlerësoi se integrimi europian prek çdo sferë të jetës, ndërsa politikanët janë zotuar të implementojnë ligjet që sigurojnë jetë europiane dhe civilizuese.
“Integrimi nuk është vetëm formë, por edhe përmbajtje. Integrimi është real dhe vizuel në të gjithë sektorët. E drejta e punës, pagës, e drejta e shkollimit kualitativ dhe të denjë, e drejta e mbrojtjes sociale, përbëjnë të drejta bazë në të drejtën e BE-së. Pikërisht të ardhmen tonë e shohim në BE. Këto janë vlera civilizuese të perëndimit ku synojmë dhe ku jemi gjeografikisht. Vlera që ne politikanët kemi marrë obligim për ta realizuar”,- u shpreh zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.
Këto komente u thanë gjatë promovimit të fushatës “Besojmë në ty, investojmë në ty, Bashkimi Europian për ty”.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
