Maqedoni
Raport për përdorimin e substancave psikoaktive, Memeti: përdorimi i drogave ilegale, rreth 2%
21.11.2017 16:08
Përdorimi i drogave ilegale në Maqedoni është rreth 2%, por shqetëson tendenca e rritjes së përdorimit të substancave psikoaktive tek të rinjtë...

Kështu deklaroi drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Shaban Memeti, në promovimin e Raportit me rezultatet e substancave psikoaktive.
“Përdorimi i drogave ilegale është rreth 2%, por më shqetësues është fakti se ka një tendencë të rritjes së këtij numri që ka të bëjë me moshën. Kështu në moshën 15 deri në 16 vjeç rreth 50% e fëmijëve kanë rrëfyer se kanë provuar një deri në dy herë marihuanë”,- deklaroi drejtori i IShP-së, Shaban Memeti.
“Te popullata e përgjithshme ndiqen 5 indikatorë kryesorë, indikatori epidemiologji, indikatori për sëmundjet ngjitëse, vdekshmëria e lidhur me përdorimin e drogës, trajtimi i këtyre personave dhe identifikimi i personave problematikë që konsumojnë droga”,- u tha nga Qendra europiane për monitorim të drogave.
Të dhënat e këtij raporti flasin se vetëm vitin e fundit përdorimi i substancave psikoaktive tek meshkujt arrin në 28%, tek femrat 39%, tek popullata prej 15 deri në 64 vjeç të paktën një herë brenda vitit kanë përdorur 32%, ndërsa përdorim më i shpeshtë është konstatuar te popullata e moshës 55 deri në 64 vjeç, tek të cilët është konstatuar se katër herë në javë i kanë përdorur këto substanca 38,5% e kësaj grupmoshe.
Një raport i këtillë u përgatit për herë të parë në Maqedoni, me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qendrës europiane për monitorim të drogave dhe varësisë prej tyre, me seli në Lisbonë.
GYLTENE SINANI
