Maqedoni
Rasti “Trust”, PPS: fatura të rrejshme për sigurim të makinerive
21.11.2017 16:35
Përmes faturave të rrejshme, i akuzuari i parë në rastin “Trust”, Sead Koçan...

Përmes faturave të rrejshme, i akuzuari i parë në rastin “Trust”, Sead Koçan, ka dëshmuar për posedimin e makinerive të nevojshme për punë gjatë fitimit të tenderit nga ELEM në vlerë prej 17 milion euro, sqaruan nga Prokuroria Speciale.
Gjatë dëshmisë së dëshmitarit, Feim Imeri, udhëheqës i kompanisë “Fiço servis” për shitje të makinerive ndërtuese konkludohet se vetëm një makineri i është shitur të akuzuarit Koçan, ndërsa faturat tjera janë të rrejshme, vlerësojnë nga PPS.
Dëshmitari në fjalë gjatë përgjigjes në gjykatë nuk ishte i sigurt nëse nënshkrimet në fatura janë të tij.
“Pamë se bëhet fjalë vetëm për njërën nga makineritë, e cila me të vërtetë i është shitur firmës “Transmet” dhe atë e ka poseduar kur ka dorëzuar dokumentacionin, faktikisht dokumentacioni tjetër që është dorëzuar me fatura dhe marrëveshjet që përshinë makineritë e tjera nuk korrespondojnë me realitetin, gjegjësisht janë të rrejshme”,- tha prokurori special, Gavrill Bubevski.
“Faturat as nuk janë paguar në vitin 2011, as nuk janë dorëzuar apo pranuar, as nuk ka pasur obligim t’i paguaj, ato janë vetëm një copë letre”,- theksoi prokurori special, Artan Hajro.
Nga ana tjetër, mbrojtja e të akuzuarve dhe gjatë seancës së sotme ka vazhduar me replika dhe kundëreplika maratone lidhur me procedurën, gjegjësisht listën e dëshmive dhe dëshmitë e dorëzuara.
“Parashtresa jonë ishte se PPS nuk i ka propozuar këto dëshmitarë ne listën e dëshmive, por ka propozuar disa dëshmi materiale. Sot gjykata tha se nuk do të lejojë që mbrojtja t’i marrë në pyetje këta dëshmitarë në formë direkte dhe ne mendojmë se në këtë rast po shkelet e drejta jonë e mbrojtjes”,- u shpreh avokati mbrojtës, Sanja Aleksiç.
Në rastin “Trust”, në akuzë janë të përfshira edhe ndërmarrjet “Transmet”, “Sileks” dhe “Vato” nga Studeniçani.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
