Maqedoni

Zaev në Beograd: Maqedonia respekton dialogun Serbi - Kosovë; Bërnabiç: përmes dialogut mund t’i zgjidhim problemet

21.11.2017 16:51

Kryeministri, Zoran Zaev, në vizitën e tij të parë zyrtare në Beograd ka realizuar takim me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiç...

Zaev ka deklaruar se  Maqedonia dhe Serbia janë partnerë dhe kanë raporte të mira ndërfqinjësore, ku si për qëllim kryesor të dy vendet kanë eurointegrimet. I pyetur për Kosovën dhe se a do të votojë Maqedonia për Kosovën në UNESKO, Zaev ka thënë se Maqedonia do ta respektojë dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe beson se në kohë të shkurtër do të gjendet një zgjidhje, për shkak se nga kjo çështje varet edhe e ardhmja e Ballkanit Perëndimor.
 
“Maqedonia respekton dialogun që Serbia ka nisur me Kosovën, gjegjësisht mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe besoj se në interes të Serbisë do të gjendet zgjidhje. Ne këtë e mbështesim plotësisht dhe shpresojmë se shumë shpejt do të gjendet zgjidhje, pasi kjo është e rëndësishme për Serbinë dhe  perspektivën e saj europiane, por gjithashtu nga kjo çështje varet edhe  perspektiva e gjithë rajonit”,- deklaroi kryeministri i RM-së, Zoran Zaev.
 
Lidhur me agjentin serb, i cili ishte i pranishëm në ngjarjet në Kuvend më 27 prill, Zaev tha se në mënyrë diplomatike dhe miqësore është gjetur zgjidhje edhe për atë rast. Për kryeministren serbe, Brnabiç, kjo vizitë e parë zyrtare e kryeministrit maqedonas në Beograd është një sinjal i mirë për të gjitha aktivitetet e mëtejshme dhe se të gjitha çështjet e hapura duhet të zgjidhen përmes dialogut. 
 
“Kjo nuk do të thotë se më nuk do të kemi probleme, por është e rëndësishme që të kemi një dialog. Unë mendoj se ky është mesazhi kryesor i takimit të sotëm. Vetëm përmes dialogut mund të zgjidhim problemet, mendoj se dialogu nuk do të ndalet në periudhën e ardhshme dhe do të jemi të hapur për bashkëpunim të mëtejshëm”,- tha kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç.
 
Të dyja palët janë dakorduar që të punohet intensivisht në projektet  për Korridorin 10, si dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik, posaçërisht në pjesën e investimeve, ku Serbia është partneri i tretë tregtar me të cilin Maqedonia në nivel vjetor ka shkëmbim tregtar për rreth 732 milion dollarë. Palët janë dakorduar gjithashtu për seancë të përbashkët të të dyja qeverive, e cila duhet të mbahet në fund të shkurtit ose në fillim të muajit mars të vitit të ardhshëm.
 
Delegacioni qeveritar, i udhëhequr nga Zaev, gjithashtu është takuar edhe me presidenti serb, Aleksandar Vuçiqin. Temat kryesore në këtë takim kanë qenë përmirësimi i marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve si dhe forcimi për bashkëpunimin ekonomik. Vuçiq pas takimit ka thënë se Serbia është një vend mik i Maqedonisë dhe qëllimi i të dyja vendeve është paqja dhe stabiliteti në rajon. 
 
GAZMEND KURTISHI