Maqedoni
Vizita e komisarit Han, Selmani: mesazhe për përkrahje dhe paralajmërim
21.11.2017 17:09
Vizita e eurokomisarit Han dhe delegacioneve të ndryshme të nivelit të lartë të BE-së...

Vizita e eurokomisarit Han dhe delegacioneve të ndryshme të nivelit të lartë të BE-së janë dëshmi se Brukseli ndjek me vëmendje zhvillimit në Maqedoni, por jo vetëm kaq, institucionet e BE-së në këtë formë demonstrojnë përkrahje morale dhe diplomatike për qeverinë e re.
Profesori universitar, Bashkim Selmani, thotë se edhe mesazhet e komisionerit Han gjatë takimeve me institucionet dhe aktorët politikë në vend janë miqësore, udhëzuese dhe paralajmëruese.
“Është fakt që Maqedonia është nën vëzhgimin serioz të faktorin ndërkombëtar. Kjo është faza e parë. E dyta, janë takime të rregullta me të cilat ballafaqohet RM, dhe e treta është një përkrahje morale e kësaj qeverie. Po ashtu është një mesazh paralajmërues, të ndiqen hapat, standardet dhe veprimet. Ato gabime që i ka bërë qeveria e kaluar e Maqedonisë, të mos përsëriten”,- deklaroi profesori universitar, Bashkim Selmani.
Sipas Selmanit, mesazhet që iu dhanë Shkupit zyrtar nuk e shohin Maqedoninë si të izoluar nga realiteti dhe sfidat me të cilat përballet Ballkani dhe me bota.
“Takimet e fundit që janë bërë në nivel të vendeve ballkanike dhe qeverive të tyre dhe raportet mes ministrive të jashtme janë një nga elementet me të cilat tentohet që Ballkani të mos e humbasë rrugën”,- thekson ai.
“Megjithatë, e gjithë kjo diplomaci aktive që është duke ndodhur, Maqedonia duhet të ndjehet e respektuar, sepse të gjitha takimet që bëhen i bëhen RM-së. Është akt dhe faza e fundit që Maqedonia të kap të gjitha ato rrugëdalje të standardeve të BE-së dhe pikërisht vetë vizita e Hanit pati sugjerime miqësore që t’u përmbahen këtyre parimeve dhe të mos gabojnë siç ka gabuar qeveria e kaluar”,- u shpreh profesori universitar, Bashkim Selmani.
Komisioneri Han mbylli vizitën dyditore në Maqedoni me optimizmin se institucionet dhe subjektet politike do t’i përmbahen zotimit për zbatimin e reformave në sistemin e sigurisë, gjyqësisë dhe administratës. Ai tha se ka marrë garanci edhe nga opozita se do të jetë konstruktive në këtë drejtim.
SHPËTIM NUREDINI
