Maqedoni

UShT, akademi solemne për 109 vjetorin e alfabetit

21.11.2017 18:01

Me një akademi solemne, Universiteti i Tetovës ka shënuar 109 vjetorin e alfabetit shqip...

Fatmir Sulejmani - dekan i fakultetit filologjik, në referatin e tij theksoi se rruga e alfabetit ka qenë shumë e gjatë dhe e vështirë, prandaj mund të thuhet se kjo ditë ishte rrjedhojë e sakrificave të shumta të shqiptarëve.
 
“Udha  e alfabetit të shqipes ka qenë e gjatë dhe e vështirë, ajo është e shtruar me gjakun dhe eshtrat drobitur të martinave të dritës dhe të diturisë, të flijuar vetëdijshëm me dhëmzorët e pushteteve satrapë që kishin zët shqiptarët, zot të vetvetes, shqiptarin e qytetëruar në auditorët shkollore, shqiptarin e ndërgjegjësuar që punoi më shumë për vetveten se sa për tjetrin. Këto janë shkaqet se përse kombi ynë me kultivues të hershëm kulture e letërsi arriti që të konsolidojë alfabetin vetëm në fillim të shek. të XX pas gjithë shteteve ballkanike të gjendura më shumë se pesë shekuj në të njëjtin pushtues”,- deklaroi dekani i Fakultetit Filologjik, Fatmir Sulejmani.
 
Rreth datës historike dhe rëndësisë që ka Kongresi i Manastirit, para të pranishmëve folën edhe profesoresha, Zejnepe Alili – Rexhepi, dhe profesori, Berton Sulejmani.
 
“Udha e shkronjave vërtet ishte e vështirë, por këtë rrugë të vështirë dikur e kaluan edhe Buzuku, Matrënga, Bardhi, Budi e Bogdani edhe sfidat e shumta u kurorëzuan me vlera gjuhësore dhe shumëdimensionale. Arritjet tona sot u dedikohen përpjekjeve të këtyre paraardhësve tanë”,- tha profesoresha, Zejnepe Alili - Rexhepi.
 
“Ta kujtosh dhe nderosh me një aktivitet si ky i sotmi përvjetorin e Kongresit të Manastirit dhe në veçanti 109 vjetorin e tij nuk është thjesht një nderim, por detyrë e obligim e një brezi tonë për ata njerëz që s’kursyen asgjë duke u përballur me ndjekjet dhe persekutimet për të zgjidhur një nga çështjet më madhore të kulturës sonë, alfabetin e përbashkët të shqipes”,- theksoi profesori, Berton Sulejmani.
 
Në vigjilje të kësaj feste, në mbarë institucionet arsimore në Maqedoninë janë duke u zhvilluar manifestime të ndryshme për nder të Kongresit të Manastirit. Ndërsa aktivitetet kryesore kushtuar 109 vjetorit, Ditës së Alfabetit, do të zhvillohen në muzeun e Alfabetit në Manastir.
 
VISAR SADIKI