Maqedoni
Ligji për gjuhët, VMRO 83 amendamente, LSDM 4, BESA 2
21.11.2017 18:17
Prej nesër në Kuvend fillon debati mbi amendamentet për propozim-ligjin rreth gjuhët...

Rreth propozim-ligjit janë parashtruar gjithsej 90 amendamente. VMRO-DPME ka propozuar 83, LSDM katër, Lëvizja BESA dy amendamente dhe Trajko Veljanovski një amendament.
Nga VMRO-DPMNE mbajnë qëndrimin se me amendamente intervenojnë aty ku mendon se vihet në rrezik gjuha maqedonase.
Nga kjo parti thonë se në ligj nuk duhet të ceket gjuha shqipe, por vetëm gjuha të cilën e flasin 20% e popullsisë, ndërsa në procedurat gjyqësore, dokumente dhe materiale të tjera gjyqësore zyrtare të mbetet vetëm gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj, me qëllim që të mos dublohen vendimet në dy gjuhë.
Po ashtu VMRO kërkon që të hiqet flamuri europian nga ligji si dhe të organizohet debat publik.
“Urgjentisht të hiqet flamuri i Europës nga ai ligj dhe të mundësohet procedurë normale, e cila do të mund thellësisht të lejojë që t’i analizojmë të gjitha efektet dhe pasojat nga ky ligj. Dhe e dyta, urgjentisht të pranohen kërkesat tona për organizmin e debatit publik në të cilin do të marrin pjesë albanologë, maqedonologë, profesorë nga gjuha turke, serbe, vllehë etj, dhe me këtë të tregoni se për ju është e rëndësishme agjenda europiane e jo agjenda politike”,- tha Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
Por, kryeparlamentari, Talat Xhaferi, sqaroi se kërkesa e VMRO-së është në kundërshtim me procedurat parlamentare, megjithatë ai e nxori në votim, por propozimi nuk mori dritën jeshile.
“Konkluza e cila është miratuar pas shqyrtimit të ligjit ka përfunduar dhe në këtë kontekst nuk mund të jetë pjesë e vendimit post-festum, por unë në mënyrë procedurale kërkesën duhet ta vë në votim, pasi është në lidhje me këtë rend dite”,- theksoi kryetari i Kuvendit të RM-së, Talat Xhaferi.
LSDM, me anë të katër amendamenteve synon që të avancojë të drejtat e etniteteve më të vogla që jetojnë në Maqedoni. Deputeti i LSDM-së, Tomisllav Tuntev, sqaroi se për këtë parti me rëndësi të veçantë është gjetja e një zgjidhjeje të përbashkët e cila është në interes të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.
“Me amendamentet avancohet pozita e bashkësive më të vogla të cilat theksohen në preambulën kushtetuese, me çka do të mundësohet që edhe këto bashkësi të realizojnë të drejta të caktuara të parapara në zgjidhjen ligjore. Njëkohësisht propozojmë uljen e lartësisë së dënimeve të parapara për institucionet që nuk do ta respektojnë ligjin, në 1 deri në 2 mijë euro. Gjithashtu edhe e precizojmë rregulloren e udhëheqjes së seancave në Kuvend dhe në Qeveri”,- u shpreh Tomisllav Tuntev nga LSDM.
Amendamentet e grupit të deputetëve të LSDM-së kanë marrë mbështetje edhe nga partneri i koalicionit, BDI.
Nëpërmjet dy amendamenteve të saj, Lëvizja BESA kërkon që ligji të mos quhet “ligji për përdorimin e gjuhëve”, por “ligji për përdorimin e gjuhës shqipe”, kurse në Nenin e parë të tij “gjuha shqipe dhe alfabeti i saj” të qëndrojnë përkrah theksimin të “gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj cirilik” si gjuhë zyrtare në Maqedoni dhe në marrëdhëniet e ndërkombëtare të vendit.
Debati në fazën e dytë të Propozim-ligjit për përdorimin e gjuhëve do të fillojë të mërkurën në Komisionin për Çështje Europiane. Pas tre ditëve, i njëjti do të kalojë në Komisionin Juridiko-ligjvënës dhe më pas në seancë plenare.
ERSAN PAJAZITI
