Maqedoni

Tribunë shkencore në Manastir, shënohet 109 vjetori i Kongresit të Alfabetit

21.11.2017 18:37

Kongresi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, i cili u përpilua më 22 nëntor të vitit 1908...

Kongresi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, i cili u përpilua më 22 nëntor të vitit 1908, është një nga datat më të mëdha të historisë sonë kombëtare, moment kyç përbashkues që e orientoi kombin shqiptar drejt kombeve më të përparuara të botës perëndimore, tha kryetari i Shqipërisë, Ilir Meta, në tribunën shkencore të mbajtur në Manastir në kuadër të 109 vjetorit të Kongresit të Manastirit.
 
“Ne shqiptarët duhet të jemi krenarë për vendimet e Kongresit të Manastirit-kryeqytetit të alfabetit shqip, i cili e renditi gjuhën e lashtë shqipe në gjuhët moderne. Kongresi i Manastirit pati rëndësi të madhe jo vetëm për alfabetin dhe gjuhën letrare kombëtare, për arsimin dhe kulturën, por edhe për lëvizjen kombëtare shqiptare në përgjithësi. 36 shkronja të alfabetit tonë përjetësuan shkrimin shqip dhe historinë e shqiptarëve në trojet ku ata jetojnë. Me këtë alfabet u shkrua dokumenti i pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, u nënshkrua deklarata e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008”,- tha presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
 
Ndërsa zëvendëskryeministri i Maqedonisë - përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe sistemit politik, Hazbi Lika, vlerësoi se Kongresi i Alfabetit mbetet një nga veprimet strategjike ekzistenciale për ngritjen e vetëdijes në rrafshin kombëtar dhe për përforcimin e identitetit kulturor. 
 
“Historia kombëtare shqiptare është përplot me ngjarje madhështore, me ngjarje që kanë peshë të madhe, që shënojnë pikë kthese në zhvillimin e kombit, në rrugëtimin e tij civilizues dhe bashkëkohor. Një ndër këto ngjarje historike dhe kulturore është edhe Kongresi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe i mbajtur pikërisht në këtë qytet, si njëri nga qendrat administrative e kulturore në atë kohë dhe një qendër e një shembulli të një bashkëjetese mes komuniteteve në kohën e sotshme i cili duhet të grumbullojë fuqi, të merr guxim dhe të mbajë përgjegjësi për krijimin e kushteve për të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë, sepse në histori një vend aq sa ka dëshmuar bujshmëri në të kaluarën po aq duhet të mbaj përgjegjësi në të ardhmen”- theksoi zëvendëskryeministri, Hazbi Lika.
 
Kryetarja e Manastirit, Natasha Petrovska, vlerësoi se pikërisht kjo ngjarje është dëshmi për rëndësinë që ka pasur Manastiri në të gjitha kohërat. 
 
“Manastiri çdoherë ka qenë qendër kulturore, arsimore, ekonomike, qendër e rëndësishme nga çdo aspekt. Kudo që ndodheni, cilido komb t’i takoni, çdo herë për njerëzimin më me rëndësi është komunikimi, mirëkuptimi, ndërtimi i besimit mes popujve, ndërkaq kjo është një nga mënyrat që tregohet në praktike”- deklaroi kryetarja e komunës së Manastirit, Natasha Petrovska.
 
Paraprakisht, zëvendëskryeministri Lika dhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kanë vizituar Muzeun e Alfabetit, me ç’rast presidenti Meta shprehu gëzimin e tij se godina historike e Kongresit të Manastirit do t’i nënshtrohet restaurimit dhe do t’i kthehet rëndësia e saj historike dhe muzeale, sepse ky vend do të kthehet në një vend pelegrinazhi për gjeneratat e ardhshme.
 
FARIJE DAUTI-BAKIU