BRAZIL 2014

Franca kualifikohet në fund

01.07.2014 14:45

Kombëtarja e Francës ka vazhduar në çerekfinale të Kampionatit Botëror në dëm të Nigerisë, pas fitores prej 2-0 në ndeshjen e zhvilluar në Brazilia........

Kombëtarja e Francës ka vazhduar në çerekfinale të Kampionatit Botëror në dëm të Nigerisë, pas fitores prej 2-0 në ndeshjen e zhvilluar në Brazilia.

Fraksioni i parë u mbyll pa gola. Skuadra afrikane në asnjë moment nuk u tregua inferiore kundrejt Les Bleus duke bërë një lojë dinamike dhe mjaft interesante në gjysmën e parë.

Emenike madje arriti të shënojë në portën franceze, mirëpo goli u anulua për pozitë jashtë loje.

Rastin më të mirë për Francën e pati Paul Pogba, i cili goditi për mrekulli, mirëpo intervenimi i portierit Enyeama ishte akoma më i mirë. Një tjetër shans të mirë për Trekolorët e pati Debuchy, por goditja e tij përfundoi jashtë portë.

Nigerianët luajtën më mirë në një periudhë të gjatë kohore në pjesën e dytë duke i bërë presion kundërshtarët, mirëpo rastet për shënim ishin të rralla.

Francezët u kthyen në lojë për të krijuar rast pas rasti. Përmendim dy shanse shumë të mira të Benzemas dhe goditjen e shtyllës nga Cabaye.

Pas këtyre rasteve erdhi edhe goli për Les Bleus. Një harkim nga këndi të francezëve nuk e pastroi mirë Enyeama dhe Paul Pogba priti me qetësi për të shënuar me kokë (79’).

Për konfirmimin e fitores, Joseph Yobo shënoi autogol pas angazhimit të Benzemas (90’+1).

Në çerekfinale, Franca do të luajë kundër Gjermanisë.