Dita e ABC-së, gjuha shqipe të trajtohet me respekt, çdo ditë

22.11.2017 12:45

Ajvar i zemëruar, Nëna Terëze, Filipi i II-te i Maqëdonisë, janë vetëm disa nga mbishkrimet me gabime....

Ajvar i zemëruar, Nëna Terëze, Filipi i II-te i Maqëdonisë, janë vetëm disa nga mbishkrimet me gabime që i hasim në artikujt ushqimorë dhe në tabelat rrugore. Janë aty dhe shumë pak njerëzve u bëjnë përshtypje.

Janë aty bashkë me shumë gabime të ngjashme në libra, dokumente zyrtare, fletushka dhe në vitrinat e shumë dyqaneve në vend. Fatkeqësisht, degradimi i gjuhës shqipe nga viti në vit është edhe më i madh dhe kjo duhet të shqetësoj tej mase jo vetëm albanologët, por të gjithë ne, pasi gjuha është e të gjithë kombit,  vlerësojnë albanologët.

“Secili institucion duhet të ketë parasysh në punësimet që i bën për shembull të ketë gjuhëtar përkatës, përkthyes përkatës, cilësorë dhe jo të jenë sa për numër, dhe jo të përpiqen ndonjëherë të përkthejnë edhe me google translate, sepse kemi shumë përkthime të asaj natyre të cilat shpesh dalin qesharake edhe të pakuptimta. Secili njeri privat i cili do të kishte shpallur diçka private, do të ishte mirë të konsultohej me ndonjë, nuk është patjetër të jetë gjuhëtar, por të jetë njeri që e njeh gjuhën shqipe më mirë se sa që e njeh ai, sepse në fakt ai mbishkrim është pasqyrë e tij”,- deklaroi albanologia, Ajtene Qamili.

Zërin e revoltës e ngrenë edhe studentët e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Ata thonë se çdo punë që e bëjnë lidhur me çështjen e gjuhës duhet ta bëjnë me një përkushtim më të madh dhe me konsultime, thonë ata njëzëri.

“Gabimet gjuhësore, siç po e shoh tash, janë bërë normale, ne duhet ta mbrojmë me xhelozi për shkak se kemi fjalët tona me të cilat mund të shprehemi bukur. Jorastësisht është një ndër gjuhët më të bukura”,- tha studenti, Mahir Ademi.

“Gabimet gjuhësore i hasim në çdo anë jo vetëm nga individë të thjeshtë, por shikojmë edhe disa të shkolluar që bëjnë gabime trashanike, është për t’u habitur pak, se është obligim i çdo shqiptari të mos gabojë”,- theksoi studentja, Miradije Leskovica.

Të rinjtë kanë edhe një porosi për politikanët: teksa shumë proklamohet për dygjuhësinë, teksa kësaj çështjeje po i jepet kaq shumë rëndësi kohët e fundit, është mirë që politikanët të kthejnë vëmendjen urgjentisht në ruajtjen e gjuhës sonë, sepse duke dashur të kthehemi në kozmopolitë, po harrojmë shenjën tonë identifikuese, gjuhën e bukur e të shkruar sipas të gjitha rregullave drejtshkrimore.

“Po të ketë breza më të lexuar, atëherë besoj që gjuha shqipe do të ishte shumë më bukur, e kultivuar dhe shumë më bukur e folur prej individëve. Diçka që na bie në sy janë edhe mbishkrimet, shohim disa gabime, ne luftojmë për dygjuhësinë, por nuk e shkruajmë gjuhën tonë siç duhet”,- u shpreh studentja, Ermira Ajrullahu.

Dhe një porosi shumë e rëndësishme në këtë 22 nëntor. Ne kujtohemi për gabimet zakonisht vetëm në Ditën e Alfabetit. Është mirë të shqetësohemi më shumë edhe gjatë ditëve të tjera të vitit dhe gjuhën ta trajtojmë me gjithë respektin e duhur, gjithmonë, sepse është shenja identifikuese e një kombi. (Rina Turkeshi-Sahiti, TVM2)