Botë

Haga vendosi: burg përjetë për “Kasapin e Ballkanit”

22.11.2017 12:54

Gjykata e Hagës dha njërin prej vendimeve më të pritura...

Gjykata e Hagës dha njërin prej vendimeve më të pritura, atë për burg të përjetshëm  për komandantin e ushtrisë serbo-boshnjake, Ratko Mlladiç.
 
“Kasapi i Ballkanit” u përball me gjykimin për masakrën më të madhe në Europë që prej Luftës së Dytë Botërore.
 
Mbi të rëndonin akuzat e gjenocidit në Srebrenicën e vitit 1995, gjenocidit në 6 komuna të tjera boshnjake në vitin 1992, persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjë - Hercegovinën, terrorizimin e banorëve të Sarajevës me fushatën e bombardimeve dhe goditjeve me snajper, si dhe për marrjen peng të personelit të OKB-së. 
 
“Roli i të akuzuarit provohet se ka qenë thelbësor dhe domethënës në kryerjen e krimeve të ndodhura, krime që pa këtë rol nuk do të kishin ndodhur në këtë masë. I akuzuari ishte në dijeni dhe ka nxitur krimet kundër kroatëve dhe boshnjakëve”,- argumentoi gjykata.
 
Para se të shprehej për vendimin e saj, gjykata u detyrua që të përjashtojë nga salla Ratko Mlladiçin, i cili protestoi dhe përmes avokatit të tij kërkoi shtyrjen e vendimit për arsye shëndetësore, kërkesë që u hodh poshtë. 
 
“Kushtet shëndetësore të tij janë përkeqësuar këtë mëngjes. Mjekët na kanë thënë se shëndeti i tij rrezikohet ndjeshëm, përfshirë edhe faktin që mund të vdesë, për shkak të këtij gjykimi”,- u shpreh avokati mbrojtës i Ratko Mlladiçit, Dragan Ivetiç.
 
Rreth 300 persona janë ulur në bankën e dëshmitarëve gjatë procesit të tij.
 
Gjykatës së OKB-së në Hagë iu paraqitën gati 10 mijë prova. 150 përfaqësues të viktimave të luftës në Bosnje mbërritën në Hagë që një ditë më herët, në pritje të vendimit për drejtësi. Të tjerët prisnin vendimin live në Bosnjë.
 
“Kjo ditë përmbyll një nga kapitujt më të rëndësishëm të jetës sime, sepse unë jam një nga mijëra gratë e përdhunuara gjatë luftës. Edhe po t’i japin 100 vite burg, për të nuk mjafton”,- theksoi kryetarja e Shoqatës së grave viktima të luftës, Bakira Haseciç.
 
Mlladiç u arrestua në vitin 2011, pas më shumë se 15 vitesh arrati. Por, pavarësisht krimeve dhe gjenocidit, serbët vazhdojnë të admirojnë kriminelin e luftës.
 
Vetë presidenti serbo-boshnjak, Milorad Dodiq, u shpreh se pavarësisht të gjithave, Mlladiç mbetet një legjendë mes serbëve.
 
GYLTENE SINANI