Komisioni kuvendor për Çështje Europiane anulon seancën për Ligjin e gjuhëve
Komisioni parlamentar për Çështje Europiane ka anuluar seancën e paralajmëruar për sot për projekt....

Komisioni parlamentar për Çështje Europiane ka anuluar seancën e paralajmëruar për sot për projekt – ligjin për gjuhët, që parasheh avancimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.
Vendimi u bë i ditur nga ana e kryetarit të këtij komisioni, deputetit, Artan Grubi, i cili theksoi se anulimi është bërë për shkak të çështjeve më urgjente që duhet të mbyllen në Kuvend.
Rreth propozim-ligjit janë parashtruar gjithsej 90 amendamente. VMRO-DPMNE ka propozuar 83, LSDM katër, Lëvizja BESA dy amendamente dhe Trajko Veljanovski një amendament.
Nga VMRO mbajnë qëndrimin se me amendamente intervenojnë aty ku mendojnë se vihet në rrezik gjuha maqedonase.
Nga kjo parti thonë se në ligj nuk duhet të ceket gjuha shqipe, por vetëm gjuha të cilën e flasin 20% e popullsisë, ndërsa në procedurat gjyqësore, dokumente dhe materiale të tjera gjyqësore zyrtare të mbetet vetëm gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj, me qëllim që të mos dublohen vendimet në dy gjuhë. Po ashtu VMRO kërkon që të hiqet flamuri europian nga ligji si dhe të organizohet debat publik.
LSDM me anë të katër amendamenteve synon që të avancojë të drejtat e etniteteve më të vogla që jetojnë në Maqedoni. Amendamentet e grupit të deputetëve të LSDM-së kanë marrë mbështetje edhe nga partneri i koalicionit, BDI.
Ndërsa nëpërmjet dy amendamenteve të saj, Lëvizja BESA kërkon që ligji të mos quhet “ligji për përdorimin e gjuhëve”, por “ligji për përdorimin e gjuhës shqipe”, kurse në Nenin e parë të tij, “gjuha shqipe dhe alfabeti i saj” të qëndrojë përkrah theksimin të “gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj cirilik” si gjuhë zyrtare në Maqedoni dhe në marrëdhëniet e ndërkombëtare të vendit.
