Marrëveshje me BE-në për inovacione
Maqedonia dhe Bashkimi Evropian, nënshkruan sot marrëveshje bashkëpunimi për pjesëmarrje në programin kornizë për hulumtim dhe inovacione, “Horizont 2020”............

Maqedonia dhe Bashkimi Evropian, nënshkruan sot marrëveshje bashkëpunimi për pjesëmarrje në programin kornizë për hulumtim dhe inovacione, “Horizont 2020”.
Ky program paraqet instrument financiar të Bashkimit Evropian për mbështetje të hulumtimit dhe inovacioneve, me qëllim të krijimit të vendeve të reja të punës, rritjes ekonomike dhe konkurrencës në Evropë. Marrëveshjen në emër të Qeverisë së Maqedonisë e nënshkroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
“Marrëveshja do të sigurojë mundësi për bashkësinë tonë shkencore, hulumtuese dhe të biznesit, për bashkëpunim më të afërt në arritjen e qëllimeve të përbashkëta, rimëkëmbje ekonomike të Evropës dhe tejkalim të problemeve të mëdha që e brengosin popullin. Bashkëpunimi midis Bashkimit Evropian dhe Republikës së Maqedonisë, në këtë sferë nuk është i ri, vendi ishte anëtar i suksesshëm edhe në programin e 7-të kornizë me mbi 100 projekte të financuara, posaçërisht në fushat e teknologjisë informative e komunikuese, energjisë, bujqësisë dhe sigurisë së ushqimit”, deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
Pjesëmarrja aktive e Republikës së Maqedonisë në këtë program, siguron qasje ndërkombëtare në hulumtimet dhe inovacionet e bashkësisë shkencore dhe të biznesit nga vendi, nxitje të mobilitetit,bartjes së njohurive dhe teknologjive, si dhe qasje deri te ekspertiza e nivelit më të lartë në fushat përkatëse. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)
