Dita e Alfabetit, Lika pret doajenët e arsimit shqip në Maqedoni

22.11.2017 16:02

Gjuhën tonë e ruajtën dhe e zhvilluan mësimdhënësit tanë....

Gjuhën tonë e ruajtën dhe e zhvilluan mësimdhënësit tanë, që me përkushtim na mësuan shkronjat e para. Janë pikërisht këta veteranë të arsimit, por edhe mësimdhënësit e rinj, ata që kontribuojnë në zhvillimin e arsimit dhe edukimin e gjeneratave të tëra.

Doajenët e arsimit shqip në Maqedoni u pritën nga zëvendëskryeministri, Hazbi Lika, që ua ka uruar atyre të parëve Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

“Ta bëjmë shumë më të çmueshme atë çmueshmëri të shkronjave që kemi dhe të kemi fjalë e fjalime të mira, sepse gjuha jonë ashtu është e mirë, e bukur, domethënëse dhe shumë e pasur për nga aspekti edhe leksikor, shprehimor edhe gramatikor”,- deklaroi zëvendëskryeministri, Hazbi Lika.

Por, veteranët  e  arsimit thonë se krahas përparimit të gjuhës shqipe në Maqedoni, ende ka diskriminim. Ata apeluan deri tek mësimdhënësit e rinj që të japin sa më tepër kontribut, që gjuha jonë të tingëllojë e pastër, ashtu siç na e lanë amanet rilindasit tanë.

“I apeloj të gjithë arsimtarët dhe mësuesit që janë, që sa më tepër t’i japin rëndësi alfabetit, gjuhës shqipe, sepse gjuha shqipe është gjuha jonë që e flet gjithë populli shqiptar”,- tha veterani i arsimit, Ruzhdi Ahmeti.

“Nxënësit tanë janë të diskriminuar dhe mua më vjen keq që jam pensionist dhe nuk mund të ndihmoj, por ndihma jonë duhet të jetë e përbashkët. Në qoftë se ka nevojë të dalin në demonstrata, si mundet pala tjetër më 1 shtator t’i kenë librat në dorë, ndërsa nxënësit tanë vjen viti ri akoma nuk kanë libra me çka të mësojnë”,- u shpreh veterani i arsimit, Maksut Dehari.

Për drejtorin e ITSHKSHM-së, Skender Hasanin, takimi në ndërtesën qeveritare pikërisht në vendin ku me dekada është luftuar gjuha shqipe, ka një domethënie historike.

“Është një ngjarje historike, sepse nga kjo godinë që ndodhemi ne me dekada të tëra janë sajuar projekte kundër arsimit shqip. Kjo ngjarje është në sajë të sakrificës që e kanë dhënë veteranët e arsimit, ju që jeni prezentë, por edhe ata të cilët nuk janë në mesin tonë, që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm që ne të vijmë në këtë ditë të ngadhënjimit, sepse në mesin tonë gjenden edhe arsimtarë që në luftën e 2001-shit kanë dhënë edhe më të shenjtën, fëmijët e tyre”,- theksoi drejtori i ITShKShM-së, Skender Asani.

Me këtë rast zëvendëskryeministri Lika ndau mirënjohje për veprimtarin e ndjerë të arsimit shqip, Xhevat Gega, për kontributin e tij në edukimin e gjeneratave dhe misionin e tij për avancimin e gjuhës shqipe.

Një nga trashëgimitë e veçanta që babai im na e la ndër gjenerata të tëra, të cilët e filluan rrugëtimin e tyre të shkollimit dhe formësimit arsimor, është dhe mbetet Abetarja, prandaj më lejoni që edhe në mënyrë simbolike të them ju faleminderit plotë 36 herë”,- u shpreh i biri i prof. Xhevat Gegës, Arben Gega.

Edukimi i brezave të rinj është në dorën e brezave të rinj, mësuesve, që gjithsesi duhet të marrin shembull nga përkushtimi i doajenëve të arsimit, sepse edukimi i brezave të rinj është përgjegjësia më e madhe kombëtare. (Ersan Pajaziti, TVM2)