Maqedoni
Rasti “Target – Fortesa”, i akuzuari e pranon fajin, 6 muaj dënim me kusht
22.11.2017 16:49
Një nga të akuzuarit në rastin “Target” të ngritur nga PPS, e ka pranuar fajin dhe ndaj tij tashmë është shqiptuar dënim me kusht...

Nga PPS nuk zbulojnë identitetin e të akuzuarit, por pohojnë se personit të akuzuar, i cili u gjykua për ndihmë të autorit në kryerjen e veprës penale, më saktë për fshirje të logove në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, i është shqiptuar dënim me kusht prej gjashtë muajve burg me kusht që të mos e përsërisë veprën në dy vitet e ardhshme.
Në rastet “Target” dhe “Fortesa”, të ndërlidhura në një aktakuzë, të akuzuarit kryesorë janë: ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, shefi i Drejtorisë së Pestë, Goran Grujovski, ish-shefi i kabinetit të Mijallkovit, Toni Jakimovski, si dhe dhjetë persona të tjerë. Ata ngarkohen për përgjim të paligjshëm, që para dy viteve u zbulua nga opozita e atëhershme, tani partia në pushtet e LSDM-së, thonë nga PPS.
Edhe një tjetër i akuzuar i PPS-së, Tomisllav Lazarov, koordinator i atëhershëm i VRMO-DPMNE-së në komunën Qendër, ka pranuar fajin për rastin “Shuplaka” dhe vendimi në këtë rast pritet të shqiptohet nesër. Po ecin mbarë procedurat edhe në rastet e tjera të PPS-së.
Gjykata e Apelit vendosi që dy biseda të përgjuara të propozuara nga Specialja, të jenë prova në lëndën “Titanik 2”. Bëhet fjalë për dy incizime, në njërin prej të cilëve lideri i PDSh-së, Thaçi, merret vesh me ish-shefin e DSK-së, Mijallkovin, rreth votimit në KShZ lidhur me parashtresat e zgjedhjeve lokale të vitit 2013.
Në këtë rast, përveç kreut të PDSh-së dhe ish-shefit të DSK-së, akuzohen edhe ish-anëtarët e KShZ-së, Bedredin Ibrahimi, Aneta Stefanovska dhe Vllatko Stojanovski, anëtari aktual i KShZ-së, Sasho Sërcev, si dhe pesë gjykatës të Administrativës: Biljana Nikodinovska Petrovska, Lidija Ivanovska, Bllagorodna Arangjellova, Gazmend Fazliu dhe Aneta Xhigerova.
Gjykata e Apelit javën e ardhshme do të vendos për “bombat” si provë në rastet “Titanik” dhe “Tortura”.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
