Maqedoni
Gruevski në PPS, parahetim për një rast të ri
22.11.2017 17:55
Ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, sipas të gjitha gjasave do të përballet edhe me një akuzë të re...

Prokuroria Publike Speciale mori në pyetje Gruevskin, në cilësinë e dëshmitarit, në një procedurë parahetimore për krim financiar që ka të bëjë me energjinë elektrike, përkatësisht marrje provizioni.
“Gruevski ishte i ftuar në cilësinë e dëshmitarit për hetimin financiar që ndiqet në Prokurorinë tonë, në procedurë parahetimore dhe ka të bëjë me marrje provizioni për energji elektrike. Është bërë ekspertizë e bisedimeve, në bazë të të cilave kemi marrë kompetencë mbi këtë lëndë. Kemi dy bisedime telefonike që nuk janë publikuar e që janë zhvilluar në kontinuitet mes dy personave”,- deklaroi prokurorja speciale, Katica Janeva.
Janeva sqaroi se nëse ndonjëri nga dëshmitarët ndryshon status në “të dyshuar”, atëherë do të ngrihet procedurë hetimore.
Për ish-kryeministrin Gruevski, akti paraqet maltretim të qytetarëve dhe bëhet për të shpërqendruar opinionin. “Kam punuar sipas ligjit”,- thotë Gruevski.
“Në vend që të flitet për atë që ndodh në shtet, në vend që të flitet për paralajmërimin, për ndryshimin e emrit nga Zoran Zaev, në vend që të flitet për pagat e premtuara, për mjekët prej 100 mijë denarë, ose 500 euro pagë mesatare, ose për marrëveshjen skandaloze me Bullgarinë, ose për dygjuhësinë që LSDM e promovon në Kuvend, të flitet për atë qe unë jam ftuan në PPS dhe kam dhënë disa deklarime në cilësinë e dëshmitarit”,- u shpreh ish-kryeministri, Nikolla Gruevski.
Sipas Gruevskit, PPS po punon jashtëligjshëm, pasi, sipas tij, këtij institucioni i ka mbaruar mandati, ndërsa të ashtuquajturat “bomba” nuk paraqesin dëshmi. Mirëpo, në bazë të indicieve nga “bombat”, PPS siguroi dëshmi për rastin “Target” dhe “Kështjella”, dhe gjykata veç më ka shqiptuar dënim për një bashkëpunëtor në krim. Për këto raste, Janeva pret dënim maksimal për ish-kryeministrin Gruevski dhe ish-shefin e DSK-së, Sasho Mijallkov.
SHPËTIM NUREDINI
