Maqedoni

Dita e Alfabetit, Manastiri pret shqiptarët nga të gjitha trojet

22.11.2017 18:16

Qytetarë të shumtë nga të gjitha trojet shqiptare janë mbledhur në Manastir për të festuar së bashku Ditën e Alfabetit....

Ata janë të gëzuar që e shohin shtëpinë e Alfabetit në gjendje më të mirë se në vitet e tjera, megjithëse thonë se ka vend për përmirësime.
 
“Mirë është, por mund të punohet edhe më shumë. Është dëm që   një muze i tillë të mos marrë përkujdesje maksimale, kjo shtëpi  është me rëndësi historike për popullin shqiptar. Në këtë vend është thurur historia e vetë kombit shqiptar në 1908, me Alfabetin e parë, dhe më pas në 1911. Gjyshja, gjyshi, e gjithë familja punuan me vizion për prosperitetin e kombit shqiptar”- deklaroi nipi i Parashqevi dhe Sevasti Qiriazit, Kristi Qiriazi.
 
Drejtori i Muzeut të Alfabetit, Nuer Arsllani, shprehet optimist për fillimin e punimeve në përmirësimin e gjendjes së muzeut me ndarjen e mjeteve nga IPA fondet. 
 
Ambasadori i Kosovës, Ylber Hysa, e quajti shtëpinë muze të Alfabetit me rëndësi hyjnore për të gjithë popullin shqiptar dhe si i tillë  ai tha se duhet kujdes mbarëkombëtar institucional duke e marrë këtë si obligim.
 
Në mesin e aktiviteteve për shënimin e Ditës së Alfabetit ishte edhe hapja e ekspozitës me piktura, ku morën pjesë funksionarë të lartë shtetërorë, përfaqësues të qeverisë, ambasadorë dhe personalitete akademike.
 
ARLINDA BAFTIU