Botë

Facebook rikthen mesazhet e ngushëllimit për Riinën

23.11.2017 11:17

Facebook i kërkoi ndjesë familjes së bosit të bosëve, Toto Riina, për heqjen e mesazheve të ngushëllimit, të hedhura në rrjetin social pas vdekjes së kryemafiozit...

Një zëdhënës i rrjetit social tha për “Associated Press” se, “postimet ishin fshirë gabimisht dhe tani janë publikuar përsëri”.

Menjëherë pas vdekjes së shefit të “Cosa Nostra”-s, qindra persona kishin përcjellë keqardhjen e tyre në faqen e Facebookut të djalit të tij, Salvo.

Me qindra ishin edhe klikimet “pëlqej” ndaj këtyre postimeve, ndërsa shumica e mesazheve kishin tone lëvduese e nuk i referoheshin imazhit kriminal të 87-vjeçarit.

Por kjo seri komentesh kishte shkaktuar ankesa të shumta nga përdoruesit e rrjetit social, e nga këtu nisën edhe sinjalizimet për “shkelje të standardeve të Facebookut”.

Gjiganti i platformave sociale shpjegoi se rregullat e tij nuk lejonin përmbajtje që shprehin mbështetje për krerët e organizatave me sjellje të dhunshme, aktivitete terroriste apo grupime kriminale.

Njeriu që i shpalli luftë shtetit pati urdhëruar më shumë se 150 ekzekutime. Beteja e Salvatore Riinës me forcat e rendit i kishte kushtuar jetën dy gjykatësve të lartë të Antimafies, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino.

Por, pavarësisht të gjithave, deri në fund të jetës Riina nuk shfaqi kurrë ndonjë shenjë pendese./Top Channel