Maqedoni
Strumicë, seancë e përbashkët e qeverive Maqedoni - Bullgari
23.11.2017 12:24
Maqedonia dhe Bullgaria sot në shtëpinë e ARM-së në Strumicë do të mbajnë seancën e parë të përbashkët me qeverinë e Bullgarisë...

Gjithçka filloi me takimin mes kryeministrave të Maqedonisë dhe të Bullgarisë në manastirin Vodoça në Strumicë. Zaev dhe Borisov pas bisedimeve në Vodoça, vendosën lule para përmendores së ish- presidentit, Boris Trajkovski, në qendër të Strumicës.
Në seancën e përbashkët është paraparë të nënshkruhen nëntë dokumente për bashkëpunim dypalësh në fushën e politikës së jashtme, investimeve, energjetikës, mbrojtjes, turizmit, telekomunikimeve, infrastrukturës dhe për reagime gjatë katastrofave natyrore. Gjatë seancës duhet të nënshkruhet edhe memorandum për mirëkuptim mes Ministrisë së Transportit, Teknologjisë Informatike dhe Komunikimit të Bullgarisë dhe Ministrisë së Maqedonisë të Shoqërisë Informatike dhe Administratës për uljen e tarifave ndërkombëtare të roamingut për shërbime të telekomunikimeve, që e aprovuan dje qeveritë e të dy vendeve.
Marrëveshjet janë pjesë e përmbushjes së Marrëveshjes për miqësi, bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë të nënshkruar më 1 gusht të këtij viti në Shkup. Kjo është seanca e parë ndërqeveritare që e mban Qeveria e kryeministrit Zaev me Qeverinë bullgare. Në dhjetor në Pogradec është dakorduar edhe seancë e përbashkët qeveritare midis Shqipërisë dhe Maqedonisë. Ndërsa së fundmi, gjatë vizitës në Beograd, kryeministri Zaev në Beograd ka dakorduar edhe seancë të përbashkët me Qeverinë e Serbisë, e cila duhet të mbahet nga fundi i shkurtit apo në fillim të marsit të vitit të ardhshëm.
