Maqedoni
Rasti “Sopoti”, anulohet seanca, dëshmitari nuk ka dokument valid
23.11.2017 12:34
Për shkak të mosposedimit të dokumentit valid për identifikim të dëshmitarit, Ramadan Bajrami, anulohet seanca për rastin “Sopoti”....

Trupi gjykues konstatoi se me letërnjoftim të dhënë nga viti 2002, që nuk është valid dhe biometrik, nuk mund të vërtetohet identiteti i dëshmitarit, andaj i njëjti do të dëshmojë në seancën e radhës më 20 dhjetor. Avokati mbrojtës, Vullnet Paçuku, vlerëson se dëshmitë e propozuara nga PPS, ku duhet të dëgjohen të punësuarit e sigurimit shtetëror, do të ndihmojnë të zbardhet rasti.
“Pas dëshmisë së Ramadan Bajramit, ne si mbrojtje do të duhet të prononcohemi për dëshmitë e tjera të propozuara nga PPS, dëshmi materiale në lidhje me propozimin e tyre që si dëshmitarë të dëgjohen edhe anëtarë të sigurimit shtetërorë, i cili institucion ka qenë i angazhuar në mënyrë direkte për të marrë ingerencat e Ministrisë Rajonale të Kumanovës dhe gjithë rastin e kanë udhëhequr inspektorët e sigurimit shtetërorë, të cilët inspektorë, pasi kam lexuar deklaratat e tyre të dhëna në PPS, besojmë se do të ndikojnë në zbardhjen e tërësishme të këtij rasti, që do të vërtetohet pafajësia e të akuzuarve”,- deklaroi avokati mbrojtës, Vullnet Paçuku.
Rasti “Sopoti” ka të bëjë me rastin e vitit 2003, kur dy ushtarë polakë të NATO-s dhe një shtetas i Maqedonisë humbën jetën kur automjeti i tyre ra në minë në rrugën Sushevë – Sopot. Për këtë rast akuzohen 11 persona. Lënda për rastin e Sopotit para katër muajve kaloi në Prokurorinë Speciale, pasi që në opinion u publikuan biseda të funksionarëve qeveritarë lidhur me këtë rast.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
