Nuk mbushen paralelet shqipe në shkollën e kimisë
Kjo shkollë ofron mësime në drejtime deficitare, siç janë drejtimet kimike, drejtimet mjekësore, teknikë të optikës së syrit dhe teknikë laboratori...........

Në të gjitha shkollat e mesme në vend, sot filloi afati i dytë i regjistrimit. Në shkollën e mesme të kimisë, “Marija Kiri Skllodovska”, nevojiten edhe 50 nxënës për të përmbushur numrin e duhur të paraleleve në gjuhën shqipe.
Kjo shkollë ofron mësime në drejtime deficitare, siç janë drejtimet kimike, drejtimet mjekësore, teknikë të optikës së syrit dhe teknikë laboratori. Në favor të nxënësve është edhe zbritja e numrit të pikëve në 65 për regjistrim.
“Numri i paraleleve duhet të mbushet diku me 48 50 nxënës ashtu siç është paraparë nga MASH-i, shpresojmë se afati i tretë duhet të përmbushet, andaj mendojmë se nxënësit do të kthehen nga gjimnazet dhe shkollat ekonomike”, deklaroi ndihmësdrejtori në SH. M. “Marija Kiri”, Bilgin Hajredini.
Drejtori i shkollës u bën thirrje nxënësve të mos regjistrohen vetëm në drejtimet mjekësore, duke anashkaluar drejtimet tejet atraktive, ndërsa kjo shkollë posedon 8 laboratorë kimik, të pajisur me aparaturë moderne.
“Paralelet që ndjekin mësim në gjuhën shqipe, kanë interes tejet të madh për sferën e mjekësisë, andaj unë ju bëj ftesë që të përzgjedhin edhe drejtimet tjera, të cilat ofrohen vetëm në këtë shkollë”, theksoi drejtori i sh. m. “Marija Kiri”, Pavle Pavllov.
“Në këtë shkollë ka 6 laboratorë, të cilët janë shumë të pajisura, në mënyrë që ajo që mësohet në teori, të realizohet edhe në praktikë”, potencoi profesoresha, Afërdita Lika.
Përgjegjësit e shkollës thonë se nxënësit nuk do të zhgënjehen nëse përzgjedhin këtë shkollë, e cila ofron perspektivë në të ardhmen dhe vende pune të siguruara. (Flutura Latifi, TVM2)
