Ekonomi

FMN: Maqedonia, 1% rritje ekonomike për këtë vit

23.11.2017 15:44

FMN-ja parashikon që Maqedonia për këtë vit do të shënojë rritje ekonomike për një për qind dhe 3.2 për qind vitin e ardhshëm...

Deficiti buxhetor i parashikuar për vitin 2017 është rreth 3 për qind e BPV. Analizat e bordit ekzekutiv të FMN-së, duke marrë parasysh rritjen e borxhit publik në të kaluarën dhe nevojat e financimit, parasheh nevojën për konsolidimin fiskal.
 
Ky bord thekson nevojën për rritjen e pagës minimale dhe pagave në përgjithësi, me qëllim të monitorimit të produktivitetit për ta ruajtur konkurrencën dhe qëndrueshmërinë fiskale.
 
FMN gjithashtu ka rekomanduar dhe rritjen e moshës së pensionit me qëllim që të lehtësohet presioni mbi sigurimin pensional dhe invalidor, mbledhje më efikase të tatimit mbi vlerën e shtuar, e cila është më e ulët në Ballkan, si dhe parasheh zvogëlim të subvencioneve, veçanërisht në sektorin e bujqësisë. 
 
"Zgjerimi fiskal në vitet e fundit është shoqëruar me pensione dhe subvencione më të larta. Konsolidimi duhet të fillojë pa vonesë, me grumbullimin më efikas të TVSh-së, racionalizimin e subvencioneve, reformat e pensioneve dhe taksat më të larta në lëndët djegëse dhe pronës. Këto masa do të sigurojnë qëndrueshmëri fiskale dhe do të ndihmojnë për të siguruar nevojat e mëdha për investime në infrastrukturë dhe kapital njerëzor",- theksohet në raportin e FMN-së.
 
Bordi Ekzekutiv rekomandon përmirësime të mëtejshme në qeverisjen dhe administratën publike, logjistikën për tregti dhe shkathtësi me qëllim që të tërheqë investime të huaja direkte. 
Ndërkohë, shifrat e fundit të përditësuara në sistemin e të dhënave të FMN-së sa I përket të ardhurave për kokë banori, Maqedonia renditet në vendin e 96 me 5500 dollarë për kokë banori.
 
GAZMEND REXHEPI