Maqedoni
Rasti “Toplik”, Penalja pranoi aktakuzën e PPS-së
23.11.2017 16:04
Gjykata Penale pranoi aktakuzën për rastin “Toplik” të Prokurorisë Speciale, ku i akuzuari i parë është ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski...

Lënda i dedikohet shitjes së parcelës ndërtimore për ndërtimin e lagjes “Qyteti i Diellit” në Sopishtë të Shkupit. Për lëndën në fjalë, Gjykata ka vendosur që bisedat e përgjuara të pranohen si dëshmi. Për keqpërdorim të pozitës zyrtare janë të dyshuar gjithashtu edhe pesë persona të tjerë.
Sipas aktakuzës, i akuzuari i parë në kundërshtim me Ligjin për furnizime publike ka formuar komision, i cili ka bërë përzgjedhjen e ofertës më të mirë për blerje dhe menaxhimin me tokën shtetërore për të ndërtuar kompleksin elitar në Sopishtë, edhe pse firma e përzgjedhur nuk i ka plotësuar kushtet e nevojshme.
Në aktin e akuzës të dorëzuar nga PPS thuhet:
“Edhe pse nuk janë plotësuar të gjitha kushtet për realizimin e furnizimit publik, komisioni ka dorëzuar raport që procedura është kryer dhe ka dhënë propozim për nënshkrimin e kontratës me ofertuesin më të volitshëm. Sipas dëshmive, edhe pse i dyshuari i parë ka qenë i vetëdijshëm për mungesën e kritereve të nevojshme, që ministria në fjalë nuk do të mund t’i realizojë obligimet e dala nga kontrata, ai e ka nënshkruar kontratën me Shoqatën juridike “San Siti”, e që më pas për shkak të pamundësive të realizimit të së njëjtës, përmes një kontrate gjyqësore mes ministrisë dhe firmës “San Siti”, marrëveshja është ndërprerë”.
Nga dëshmitë e grumbulluara merret vesh që për shkak të ndërprerjes së kontratës me faj të ministrisë, kjo e fundit është obliguar që personit juridik të “San Siti” t’ia paguajë borxhin, që bashkë me kamatën e mbledhur ka arritur vlerën deri në 1 milion euro.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
