Maqedoni
Zaev e Borisov me seancë të përbashkët qeveritare, nënshkruhet deklaratë dhe 9 marrëveshje
23.11.2017 17:33
Seanca e përbashkët e qeverisë me atë bullgare, që u mbajt në Strumicë...

Seanca e përbashkët e qeverisë me atë bullgare, që u mbajt në Strumicë, rezultoi me nënshkrimin e nëntë marrëveshjeve dypalëshe dhe një deklaratë të përbashkët, në të cilën janë shënuar të gjitha angazhimet për avancimin e bashkëpunimit dypalësh në shumë sfera.
Kryeministri bullgar, Bojko Borisov, u zotua se Bullgaria, si kryesuese e radhës me Bashkimin Europian, do të angazhohet për afrimin e Maqedonisë dhe Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.
“Dua të them se pardje, gjatë takimit me kryetarin e Parlamentit Europian, Tajani, së bashku me grupet parlamentare të Parlamentit Europian në Sofje, thashë qartë se tani është momenti që të shfrytëzohet kryesimi bullgar, pastaj ai austriak, rumun dhe kroat, që për dy vjet Ballkani perëndimor jo vetëm të jetë në vëmendjen e Brukselit, por të afrohet realisht”,- deklaroi kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov.
Borisov u shpreh i bindur për zhvillimin e korridorit 8. Ai tha se përcaktimi i tij politik është për njësimin në pjesën e ekonomisë dhe energjetikës. Ai premtoi se brenda dy-tre muajve do të ulet çmimi i komunikimit telefonik, përkatësisht roaming.
Në konferencën e përbashkët, kryeministri, Zoran Zaev, edhe një herë konfirmoi përcaktimin e dy vendeve për avancimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, energjetikës, infrastrukturës dhe bashkëpunimin ndërkufitar.
Krahas këtij bashkëpunimi, Maqedonia do të vazhdojë edhe me zbatimin e reformave të nevojshme për integrimet euroatlantike.
“Maqedonia dhe Bullgaria qëndruan pranë njëra-tjetrës me nënshkrimin e marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim, ndërsa me seancën e sotme qeveritare aktivizuam edhe një nga motorët të cilët duhet ta shpijnë gjithë rajonin përpara. Vetëdijen që kemi si qeveri për përgjegjësinë tonë historike që hap perspektiva, është me rëndësi të veçantë për marrëdhëniet tona dypalëshe, për eurointegrimin e Maqedonisë dhe rajonit”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Në seancën e përbashkët është shqyrtuar edhe mundësia për furnizimin e dy vendeve me gaz shtesë.
Sa i takon çështjes së kishave, dy kryeministrat thanë se kjo u takon vetëm kishave të dy vendeve përkatëse, dhe i inkurajuan që të bashkëpunojnë dhe të ndihmohen mes veti, duke marrë për shembull bashkëpunimin e fundit në sferën politike.
SHPËTIM NUREDINI
