MPB-"MONSTRA"

Jankullovska nuk komenton rastin “Monstra”

01.07.2014 15:41

Ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska edhe pse është pyetur nga gazetarët, nuk ka komentuar sot vendimin e Gjykatës për rastin “Monstra”...........

Ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska edhe pse është pyetur nga gazetarët, nuk ka komentuar sot vendimin e Gjykatës për rastin “Monstra”. Ajo është shprehur se Ministria e Brendshme nuk ka për detyrë të komentojë vendimet e Gjykatave.

“Punët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, nuk nënkuptojnë komentim të vendimeve gjyqësore, unë besoj se ju si përfaqësues të mediave po ashtu do të përmbaheni nga çfarëdo qoftë presione dhe komentime ndaj punës së Gjykatës. Gjithsesi, Gjykata punon në bazë të dëshmive dhe ligjeve”, deklaroi ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.

Por, sot ministrja Jankullovska, gjatë një aktiviteti që nuk kishte të bëjë fare me Prokurorinë, ishte e shoqëruar nga prokurorja përgjegjëse në rastin “Monstra”, Gordana Geshkovska, e cila sot gjithsesi  nuk dha ndonjë deklaratë për rastin.

Ndërkohë, prej momentit kur Gjykata ka dhënë vendimin e saj përfundimtar dhe ka shqiptuar dënim me burgim të përjetshëm për 6 të dyshuarit, partitë politike janë të kursyera në deklarata rreth rastit. Derisa disa përfaqësues partiak kanë preferuar të komentojnë vetëm në rrjetet sociale, deputeti i BDI-së, Rafiz Haliti, në një konferencë për shtyp, është shprehur se integristët vazhdojnë të jenë të angazhuar që drejtësia të sillet në bazë të dëshmive.

“BDI, gjithmonë është angazhuar edhe në këtë rast do të angazhohet që të del në pah drejtësia, kështu që mbi të gjitha çdo herë kemi kërkuar nga Gjykatat e vendit që vendimet të merren në bazë të argumenteve edhe në këtë rast do të kërkojmë që në bazë të argumenteve të merren vendimet gjyqësore”, theksoi deputeti i BDI-së, Rafiz Haliti.

Lëvizja qytetare “ZGJOHU!”, ndërkohë nuk ka mbajtur pres-konferencë, por ka preferuar të reagojë përmes një kumtese, në të cilën vendimin e djeshëm e quan skandaloz.

“Verdikti maksimal për një krim, në të cilin nuk është gjetur as arma me të cilën është kryer akti dhe ku nuk dihet motivi i vrasjes makabre të të rinjve, sjell dyshime maksimale rreth kredibilitetit të Gjykatës, Prokurorisë dhe në përgjithësi sistemit gjyqësor në vend. Lëvizja “ZGJOHU!” kërkon drejtësi për dorasit e vërtetë. “ZGJOHU!” kërkon të prezantohen dëshmitë, mbi të cilat u dënuan 6 persona me burg të përjetshëm. “ZGJOHU!” kërkon ekspertizë ndërkombëtare për këtë gjykim skandaloz”, thuhet në reagimin e "ZGJOHU!".

Pala mbrojtëse vazhdon të këmbëngul se vendimi është sjellë në mungesë të provave, pasi Policia nuk ka gjetur asnjë nga armët me të cilat është kryer vrasja, ndërsa si provë materiale ka prezantuar vetëm analizën e AND-së për njërin nga 6 të dënuarit. Mbrojtja ka paralajmëruar se do të kërkojë drejtësinë edhe më tej. (Mefail Ismaili, TVM2)