Prishtinë, arrestohet Albin Kurti dhe dy deputetë të VV-së
Situata e tensionuar po mbretëron mëngjesin e sotëm në Prishtinë...

Situata e tensionuar po mbretëron mëngjesin e sotëm në Prishtinë, para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.
Policia e Kosovës ka arrestuar paraditen e sotme ish-kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës një ditë më parë për mosparaqitje në seancën gjyqësore.
Albin Kurti është njëri prej deputetëve të Vetëvendosjes, që akuzohet për hedhjen e sprejit dhe gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës gjatë seancave të vitit të kaluar, kur tentohej të bllokohej ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi dhe ngritja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas marrëveshjes së dalë nga dialogu me Beogradin. Deputetët e Vetëvendosjes ishin mbledhur përpara Kuvendit mëngjesin e sotëm, mes një pranie të shtuar të forcave policore. Menjëherë pas arrestimit, ka reaguar Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosjes.
“Tre deputetë të Kuvendit të Kosovës – Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albin Kurti – u arrestuan në mënyrë brutale nga Policia e Republikës së Kosovës me urdhra politik, duke hyrë në seancë. Pra, tre deputetët ishin duke ardhur në seancën e cila është thirrur për sot. Ky është edhe një rast, ose vazhdimësi e një përndjekjeje masive dhe gjithëpërfshirëse që ka filluar ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, veçanërisht kohëve të fundit, me dënimin e katër aktivistëve tanë me 21 vite burg pa kurrfarë prove e dëshmie dhe pastaj me këtë vazhdim të këtij gjyqi të padrejtë karshi deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes në këtë rast, për shkak të protestës tonë meqë me rastin e mbrojtëm sovranitetin e Republikës dhe integritetin territorial të vendit”,- theksoi Ymeri.
Një ditë më parë, gjyqtari, Beqir Kalludra, urdhëroi arrestimin e deputetëve, Kurti, Kadaj - Bujupi dhe Haxhiu, madje u caktoi edhe paraburgim, për shkak të mosparaqitjes së tyre në seancën gjyqësore ndaj hedhjes së gazit lotsjellës.
