KRD

Zgjedhjet dhe mediat, Ashaav prezanton raportin

01.07.2014 15:48

Agjencioni për Shërbime Audio dhe Audio-vizuele, me shumicë votash ka miratuar raportin përfundimtar rreth monitorimit të mediave gjatë mbulimit të zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe presidenciale..........

Agjencioni për Shërbime Audio dhe Audio-vizuele, me shumicë votash ka miratuar raportin përfundimtar rreth monitorimit të  mediave gjatë mbulimit të  zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe presidenciale. 

Sipas Agjencisë, mediat kryesisht e kanë kryer punën e tyre profesionalisht dhe në bazë të rregullave edhe pse Milaim Fetahi, nënkryetari i kësaj trupe mbikëqyrëse mediatike, pranon  se gjatë debatit për raportin ka pasur edhe kundërshtime rreth  metodologjisë së rezultateve dhe vlerësimeve rreth mbulimit mediatik. Por, sipas tij, raporti është konstatuar si objektiv nga shumica e anëtarëve të Këshillit dhe si i tillë është miratuar.

“Gjatë diskutimit në lidhje me përmbajtjen, në lidhje me metodologjinë, rezultatet dhe vlerësimet sa i përket mbulimit mediatik të këtyre zgjedhjeve, për hir të së vërtetës, kishte edhe mendime ndryshe dhe rezerva, por me shumicë votash u miratua si një raport që në mënyrë objektive dhe reale, në bazë të rregullave që janë paraparë se si duhet të kryhet monitoringu, e kanë kryer punën e tyre profesionale gjate këtyre dy cikleve zgjedhore, të cilat kaluan”, deklaroi nënkryetari i Agjencionit për Media, Milaim Fetahi.

Gjatë gjithë procesit të monitorimit, janë regjistruar 34 kallëzime, duke filluar për mediat në nivel nacional dhe rajonal, të cilat sipas Fetahut, kanë marrë epilogun e tyre. (Naim Ramadani, TVM2)