IRAK

Irak, luftë pas shpalljes së “Kalifatit”

01.07.2014 15:54

Rebelët kanë zaptuar disa pjesë në afërsi të një baze ushtarake përmes një kundërsulmi. Ngjarjet vijnë një ditë pasi Shteti islamik i Irakut dhe Levantit njoftoi krijimin e “Kalifatit”..........

Përleshje të reja janë verifikuar mes rebelëve sunitë dhe forcave qeveritare përreth qytetit të Tikritit në Irak.  Në zonë ka një valë të re sulmesh ajrore dhe se pallati i ish-presidentit, Sadam Husein, është goditur.

Rebelët kanë zaptuar disa pjesë në afërsi të një baze ushtarake përmes një kundërsulmi. Ngjarjet vijnë një ditë pasi Shteti islamik i Irakut dhe Levantit njoftoi krijimin e “Kalifatit”.

Parlamenti irakian, ndërkohë është mbledhur për herë të parë që nga zgjedhjet e prillit.

Kryeministri, Nouri al Maliki, blloku politik i të cilit doli i pari, kërkon mandatin e tretë edhe pse ai shihet si një nga shkaktarët e krizës së re, për shkak të politikave të tij sektare.

Liderët shiitë kërkojnë tërheqjen e Malikit, aleancat kurde kanë refuzuar të lejojnë mbajtjen e seancës plenare sot, deri në vendimin e Malikit për tu tërhequr nga krijimi i Qeverisë së re. Ish-aleatët e deridjeshëm të tij, tani vlerësojnë se Maliki nuk ka forcë të detyrojë minoritetin sunit të mos mbështesin “Kalifatin” e ri.

Presidenti amerikan, Barak Obama, ka njoftuar se do të dërgojë në Irak rreth 200 trupa të tjera për të mbrojtur ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Bagdad. Rreth 750 trupa amerikan ndodhen përreth Irakut, por presidenti Obama ka përjashtuar çdo mundësi për të dërguar trupa luftarake për të luftuar përkrah ushtrisë irakiane.

Raportohet se trupat rebele morën nën kontroll disa pjesë të bazës ushtarake “Speicer”, në veri të Tikritit, ditën e hënë, pavarësisht se u ndodhën nën sulmin e helikopterëve qeveritarë.

Qyteti i lindjes së Saddam Hussein u mor nën kontroll nga militantët e ISIS-it më 11 qershor, teksa ata u shtrinë në pjesë të mëdha në veri dhe perëndim të Irakut dhe që atëherë ka qenë skenë e përleshjeve të dhunshme mes dy palëve.

Të premten, ushtarët rimorën në duart e tyre kampusin e Universitetit të Tikritit, ndërkohë që për shkak të rezistencës së militantëve, ata u detyruan të tërhiqeshin nga qyteti i Dijlasë. (Rexhep Qamili, TVM2)