Projekti i USAID-it, integrimi ndëretnik i të rinjve në arsim
Heqja e barrierave dhe paragjykimeve ndëretnike janë garanci për zhvillim shoqëror....

Heqja e barrierave dhe paragjykimeve ndëretnike janë garanci për zhvillim shoqëror, u tha gjatë promovimit të projektit të USAID-it për integrim ndëretnik të të rinjve në arsim.
“Një shoqëri për të gjithë” është koncepti me të cilin janë bashkuar shumë të rinj nga bashkësi etnike të ndryshme, andaj qeveria është e vendosur ta zbatojë në praktikë, pasi ky koncept siguron të ardhmen e shtetit tonë”,- tha kryeministri, Zoran Zaev. Sipas tij, të rinjtë janë e sotmja dhe e nesërmja e Maqedonisë, të cilët janë potenciali kryesor për zhvillim të Maqedonisë.
““Shoqëri e njëjtë për të gjithë” nënkupton edhe arsimim të njëjtë për të gjithë. Bashkëjetesa inkurajohet dhe mësohet nga mosha e re. Ashtu krijohen gjenerata pa paragjykime. Të rinjtë të cilët i dinë të drejtat e tyre dhe përgjegjësitë, të cilët mendojnë në mënyrë kritike, pozitive dhe ndërmarrin nisma për ndryshimin e gjërave në të mirë”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Ambasadori amerikan në Maqedoni, Xhes Bejli, tha se projekti ka për qëllim zhvillimin gjithëpërfshirës dhe inkluziv shoqëror.
“Diversiteti është një nga anët më të fuqishme të këtij shteti. Ajo është një nga adutet më të forta edhe të ShBA-ve. Secila shoqëri multietnike duhet të mësojë se ne jemi më të fortë për shkak të pasjes së dallimeve, jo për shkak të mungesës të dallimeve”,- tha ambasadori i ShBA-ve në RM, Xhes Bejli.
“Kreativiteti dhe zbatimi i praktikave inovative janë parakusht për sigurimin e arsimim të suksesshëm, arsimim i cili konvenon në nevojat e të tashmes. Për të arritur këtë, është e nevojshme të mësojmë nga njëri-tjetri”,- u shpreh ministrja e Arsimit, Renata Deskovska.
“Kemi një detyrë të madhe që t’u sigurojmë të rinjve tanë arsim, i cili i mëson në vlera demokratike, dhe t’u jepet mundësi për bashkëpunim dhe shoqërim. T’i mësojmë të kujdesen për njëri-tjetrin pa dallim se cilës bashkësi etnike i takojnë”,- theksoi udhëheqësi i projektit, Nemosha Mojsovski.
Projekti do të realizohet në periudhën 5 vjeçare, i njëjti është në vlerë të 5.8 milion dollarëve dhe në kuadër të projektit do të realizohet bashkëpunim me palët e interesuara. (Ersan Pajaziti, TVM2)
