Maqedoni
Ndotje e lartë e ajrit në disa qytete të vendit, Qyteti i Shkupit masa kundër ndotjes
24.11.2017 15:46
Maqedonia sërish po ngulfatet në smog dhe mjegull...

Ajri në Shkup, Tetovë, Manastir, Kërçovë dhe në disa qytete tjera ka tejkaluar kufirin për dhjetëra herë më shumë nga grimcat PM10. Qytetarët ankohen. Ajri është aq i ndotur sa që në daljen e parë nga shtëpia në mëngjes ju zihet fryma. Ata kërkojnë masa konkrete dhe ajër më të pastër.
“Ndotja e ajrit na pengon të gjithëve pa dyshim. Ditëve të fundit vërehet ndotje e madhe në Tetovë, Kumanovë dhe Kërçovë”,- tha një qytetar.
“Ndotja e ajrit vërehet dhe na ndikon më së shumti në mëngjes dhe pasdite. Mendoj se për të ulur ndotjen e madhe të ajrit duhet zvogëluar komunikacioni rrugor”,- u shpreh një qytetar.
“Në këtë periudhë ka shumë makina, nuk po marrim frymë, është shumë e vështirë. Nuk e di saktë, por autoritetet duhet bëjnë diçka ose të ulin komunikacionin përmes implementimit të masës së dikurshme “çift-tek” ose diçka tjetër”,- theksoi një qytetar.
Qyteti i Shkupit ka filluar me masat imediate që do të ndikojnë në pastrimin e ajrit të ndotur. Aksioni për pastrimin e Shkupit ka filluar nga komuna e Butelit, ku në bashkëpunim me ndërmarrjet publike është punuar në 6 pika në Butel 1 dhe 2, Radishan në komunë dhe në fshat, në Shkup veri dhe Vizbeg.
Janë larë e pastruar rrugët kryesore, janë grumbulluar gjithsej 300 metra kub mbeturina nga të gjitha deponitë, janë krasitur 95 drunj dhe janë pastruar në tërësi hapësirat e gjelbra, janë pastruar rreth 300 puseta dhe 3.120 metra kanalizim. Kreu i Butelit thotë se nëse nuk mendohet për të ardhmen, një pastrim vjetor nuk do të ndikojë, prandaj premtoi mbjelljen e drunjve të rinj dhe masa tjera të përhershme.
“Kundër ndotjes së ajrit fillimisht të mbjellim fidanë të reja që në të ardhmen do të jenë pastrues natyrorë të ajrit dhe njëherit shpresoj shumë se me realizimin e projekteve të paralajmëruara të Ministrisë së Ekologjisë se do të gjejmë zgjidhje për të vendosur filtra ekologjikë te kompanitë që ndotin ajrin dhe se me ndihmën financiare të të huajve do të arrijmë të vendosen pastrues të ajrit nëpër shkolla, çerdhe dhe institucione tjera që ngrohen me naftë”,- deklaroi kryetari i Komunës së Butelit, Velimir Smilevski.
Inspektorati i Mjedisit Jetësor me të madhe inspekton “zonat e zeza” të ndotjes në Shkup, ndërsa për subvencionimin e pastruesit të ajrit në objektet publike dhe lejet integruese A për ndotësit e mëdhenj të ambientit, Qeveria ka ndarë gjithsej 350 mijë euro nga buxheti.
REXHEP QAMILI
