Maqedoni
“Maxhar telekom”, Bogoevski: Padia është e pabazë dhe e palejuar
24.11.2017 16:31
Rasti me padinë për shpifje të Ali Ahmetit dhe Musa Xhaferit kundër ish-shefit të DSK-së, Sllobodan Bogoevskit....

Rasti me padinë për shpifje të Ali Ahmetit dhe Musa Xhaferit kundër ish-shefit të DSK-së, Sllobodan Bogoevskit, lidhur me rastin “Maxhar telekom” ka arritur në fjalët përfundimtare, që pritet të mbahet brenda 8 ditëve.
Bogoevski para trupit gjykues tha se padinë kundër tij e sheh si të palejuar dhe të pabazë. Ai tha se nuk mund të paditet për shpifje pasi që nuk ka deklaruar para mediave apo dikujt tjetër, por se deklarata është dhënë në procedurë gjyqësore në Gjykatën e Nju Jorkut.
Bogoevski tha se për këtë deklaratë pas mbarimit të procedurës është dhënë detyrë për heshtje, andaj nuk e komentoi përmbajtjen e saj. Ai tha se publikimin për këtë ngjarje e ka bërë Gjykata Amerikane dhe Ministria e Drejtësisë dhe se për të njëjtën nuk ka mundur të ketë ndikim. Avokati mbrojtës i Sllobodan Bogoevskit tha se kjo procedurë është ngritur për çështje politike, ndërsa janë optimistë se do ta fitojnë rastin.
“Bogoevski nuk mund të deklarojë diçka për të cilën ka ndalesë nga Gjykata amerikane për shkeljen e së cilës mund të bartë përgjegjësi. Ishte e pritshme që Ahmeti dhe Xhaferi të mos paraqiten në gjykatë, pasi kjo ishte vetëm një lëvizje politike para zgjedhjeve dhe tani nuk uu intereson rezultati i kësaj padie”,- tha avokati mbrojtës, Valentin Zafirov.
Avokati mbrojtës i Ali Ahmetit dhe Musa Xhaferit mohon që rasti të ketë prapavi politike, ndërsa thekson se heqin dorë nga kërkimi i dëmshpërblimit por jo dhe kërkimit falje për rastin që ka prekur anët morale të paditësve.
“Duke pasur parasysh që ne jemi këtu, sigurisht që rasti nuk është harruar dhe larg asaj se ka prapavi politike. Do të presim vendimin për padinë e parashtruar dhe jemi të bindur në argumentet tona që i propozuam gjatë procedurës. Nuk kërkojmë më dëmshpërblim material, pasi që arsyet nuk janë për nevoja fitimprurëse, por çështje morale për dy paditësit”,- theksoi avokatja mbrojtëse, Tatjana Popovski.
Padia erdhi pasi Bogoevski para Gjykatës së Nju Jorkut deklaroi se Ahmeti, Xhaferi dhe Vllado Buçkovski kanë marrë ryshfet nga 2, 5 milionë euro, me qëllim që të pengonin futjen e kompanive të reja celulare në vend dhe ruajtjen e monopolit të një kompanie.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
