Botë
Kosovë, arrestohen tre deputetë të Vetëvendosjes
24.11.2017 17:05
Policia e Kosovës ka arrestuar tre deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, Donika Kadaj - Bujupin dhe Albulena Haxhiun...

Arrestimi është bërë në mënyrë të dhunshme, në hyrje të Kuvendit të Kosovës, derisa tre deputetët po shkonin për të marrë pjesë në seancën e rregullt parlamentare. Me këtë rast nga policia është përdorur edhe sprej, dhe për pasojë kanë mbetur të lënduar deputetë e aktivistë të kësaj lëvizje.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka deklaruar se arrestimi i tre deputetëve ndodhi në mënyrë brutale nga Policia e Kosovës, e cila po zbaton urdhra politik.
“Kjo është vazhdimësi e veprave të pushtetit, pas dënimit të aktivistëve tanë padrejtësisht. Është e njëjta klikë e pushtetit, e cila po synon që ta dhunojë votën e lirë të qytetarit pas vendimit të djeshëm të PZAP-it dhe që po tentojnë të përndjekin secilin aktivist të Vetëvendosjes”,- u shpreh Visar Ymeri nga Vetëvendosje.
Arrestimi është kryer me urdhërarrest të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë gjatë ditës së djeshme, pasi të njëjtit nuk janë paraqitur në seancë gjyqësore nën akuzën për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.
Lidhur me arrestimin e deputetëve të Vetëvendosjes është prononcuar edhe kryeministri, Ramush Haradinaj, i cili po ashtu derisa ishte në opozitë ka marrë pjesë në hedhjen e gazit lotsjellës. Ai ka thënë se asokohe kundërshtonin marrëveshje që mbeten rrezik për Kosovën, prandaj deputetët nuk kanë bërë asgjë të keqe dhe nuk kanë pse të mos paraqiten në Gjykatë.
"Ndodhi arrestimi i deputetëve të Kosovës. Tani e vërteta është se kundërshtonim marrëveshje që mbesin rrezik për Kosovën. Ne mendojmë që ai rebelim i atëhershëm ka sjelle të mira. Ndërsa qëndrimi i Aleancës atëherë ka qenë që meqenëse është kundërshtim politik e jo ligjor. Unë mendoj që deputetët që kanë kundërshtuar nuk kanë pse të mos paraqiten në Gjykatë, ata nuk kanë bërë asgjë që meriton me u fsheh. Të gjithë e kemi bërë me vetëdije kundërshtimin",- tha kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Njëherit Haradinaj, ka kërkuar nga Vetëvendosje që t’i ndajë kundërshtimet politike dhe ato ligjore. Abdulla Hoti nga LDK ka thënë se pamje të tilla nuk duhet përsëritur.
“Pamje të tilla nuk duhet të përsëriten, por un i ftoj të gjithë që t’iu nënshtrohen ligjeve dhe të respektohen organet e drejtësisë, të kërkohet drejtësi përmes rrugëve kushtetuese”,- theksoi Abdulla Hoti nga LDK.
Deputetëve, Albin Kurtit, Donika Kadaj - Bujupit dhe Albulena Haxhiut, pas arrestimit, u është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
GYLTENE SINANI
