Maqedoni
Osmani: Viti 2018, një mundësi historike për Maqedoninë
24.11.2017 17:30
Viti i ardhshëm është një mundësi historike për Maqedoninë që të bëjë lëvizje drejt BE-së dhe NATO-s, deklaron zëvendëskryeministri, Bujar Osami...

Viti i ardhshëm është një mundësi historike për Maqedoninë që të bëjë lëvizje drejt BE-së dhe NATO-s, deklaron zëvendëskryeministri, Bujar Osami, duke shtuar se kjo kërkon që brenda muajit nëntor - dhjetor duhet të realizohen projekte konkrete ligjore në reformat gjyqësore, në reformat e shërbimeve të inteligjencës dhe në depolitizimin e administratës publike.
“Gjashtë javët e ardhshme janë përcaktuese për fatin e gjashtë muajve të ardhshëm, kurse gjashtë muajt e ardhshëm janë përcaktues për fatin më afatgjatë të shtetit sa i përket procesit euroatlantik. Viti 2018 është një mundësi historike për vendin për të bërë një lëvizje drejt BE-së, pse jo edhe NATO-s, dhe do të duhet brenda muajit nëntor - dhjetor të realizojmë projekte konkrete ligjore në këto tri shtylla. Ajo çka është me rëndësi është të arrihet konsensus në aspekt të futjes së opozitës në pjesën e miratimit të këtyre reformave”,- deklaroi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.
Deri në raportin e rregullt, Maqedonia do të marrë një raport të jashtëzakonshëm në muajin shkurt, para se kryetari i KE-së, Zhan Klod Junker, të shpalos strategjinë europiane për zgjerimin e BE-së me Ballkanin. Njëkohësisht jep edhe sinjal të vullnetit të palëve për zgjidhjes e kontestit disavjeçar me emrin e Maqedonisë. Osmani hodhi poshtë zërat se kinse eurokomisari Hahn ka kritikuar ecurinë e reformave.
Ai tha se qëndrimi i tij ka qenë inkurajues dhe jo kritikues. Po ashtu për deklaratën e tij për Ligjin e gjuhëve, Osmani tha se qëndrimi i eurokomisarit Hahn ka konsistuar në faktin që në këtë periudhë të lihen anash të gjitha ligjet tjera dhe qeveria të fokusohet në tre ligjet që kanë afat deri në fund të vitit të miratohen.
Momentalisht kërkesa kryesore e KE-së është që të mos ketë më përgjime jolegale, për të cilën MPB bindshëm ka konfirmuar se nuk ka, tha Osmani. Ndërkaq, me krijimin e një agjencie të re do të mundësohet eliminimi i të gjitha keqpërdorimeve për përgjime jolegale.
“Parashikimet tona janë se kjo agjenci e re do të jetë në funksion të plotë diku-diku vjeshtën e vitit të ardhshëm. Mirëpo nevoja për shkyçjen e DSK-së nga mundësia e përgjimeve ilegale është obligimi ynë prej ditës që është formuar qeveria dhe po punohet në këtë drejtim. Është konfirmim i qartë nga MPB se për momentin janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që të mos ketë më përgjime joligjore, por tani po e krijojmë edhe kornizën ligjore dhe institucionale për të parandaluar edhe fizikisht mundësinë për keqpërdorimin e këtyre institucioneve”,- u shpreh zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.
Në pjesën e gjyqësorit, Osmani tha se deri në fund të dhjetorit do të miratohet strategji afatgjate për reforma në gjyqësor, ndërkaq edhe depolitizimi i administratës do të përfshihet në një strategji të veçantë.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
