Maqedoni

Gjykata Supreme kthen në rigjykim rastin “Monstra”

24.11.2017 17:48

Trupi gjykues pranë Gjykatës Supreme ka vendosur që lënda për rastin “Monstra” të kthehet në rigjykim...

Trupin gjykues ishte i përbërë nga gjykatësit, Jovo Vangellovski, Rahillka Stojanovska, Risto Katavenovski, Xhemali Saiti, Faik Arsllani dhe Shpend Devaja. Që lënda të kthehet në rigjykim, përveç mbrojtjes, ka kërkuar edhe prokurorja publike, Liljana Spasovska, pasi që, sipas saj, tani kemi rrethana të reja lidhur me rastin, duke aluduar në përgjimet e opozitës që kanë të bëjnë me rastin.
 
Avokati mbrojtës, Naser Raufi, thotë se vendimi është pritur, duke pasur parasysh nevojën që të zbardhet e vërteta, pasi që rasti ishte i montuar. Raufi thekson se anulimi i vendimit të shkallës së parë dhe të dytë për këtë rast nënkupton që të akuzuarit duhet të mbrohen në liri.
 
“Ne si palë mbrojtëse kemi qenë optimist që do të rikthehet lënda e “Monstrës” dhe me këtë është pa fuqi edhe aktgjykimi i Gjykatës Themelore edhe ai i Gjykatës së Apelit, që do të thotë që seanca do të filloje prej në fillim. Dinamika dhe intervali kohor kur do të fillojë është diku prej janarit të vitit 2018. Tani presim që Gjykata Themelore të vendosë zyrtarisht për paraburgimin dhe pasi janë plotësuar parakushtet, të ndërpritet paraburgimi, pasi kanë kaluar dy vjet prej aktakuzës. Rasti konkret nuk ka tash aktgjykime dhe Këshilli Penal pranë Gjykatës 1 ta ndërpresë paraburgimin për këta të akuzuar”,- deklaroi avokati mbrojtës, Naser Raufi.
 
Familjarët e të akuzuarve përshëndesin vendimin dhe presin gjykim të drejtë me gjetjen e kryerësve të vërtetë të kësaj vepre. 
 
“Është një vendim të cilin e kemi pritur dhe e kemi ditur se do të ndodh një ditë, sot apo një ditë tjetër, apo më herët, duke e ditur se këto të akuzuar janë të pafajshëm. Presim në të ardhmen ky vendim të jetë përfundimtar dhe të lirohen përfundimisht këto të akuzuar dhe policia të merret me kryerësit e vërtetë të veprës. Presim të hënën t’i lirojë meqë rregullat ishin ashtu. Në konsultim me avokatët, ia thotë se lënda kthehet në shkallën e parë dhe shkalla e parë sipas udhëzimeve që i ka dhënë Supremja duhet të marrë vendim për ta ndërprerë paraburgimin dhe këto të mbrohen në liri në seancat e radhës. Kjo do të ishte e mirë se do të jenë pranë familjeve të tyre dhe më larg ankthit”,- u shpreh familjari, Bedri Ajdari.
 
Për vrasjen e pesëfishtë tek liqeni i Smillkovës, më 12 prill të viti 2012, u dënuan me burg të përjetshëm gjashtë persona, ndërsa një u lirua nga akuza.
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI