Maqedoni

Fushatë globale, 16 ditë aktivitete kundër dhunës ndaj grave

24.11.2017 18:19

Gratë janë ato të cilat i nënshtrohen më shumë dhunës fizike, madje statistikat tregojnë se gjatë vitit 2016 në Maqedoni...

Gratë janë ato të cilat i nënshtrohen më shumë dhunës fizike, madje statistikat tregojnë se gjatë vitit 2016 në Maqedoni jo vetëm që janë dhunuar, por janë regjistruar 15 vrasje të grave të njohura si femicidë, gjegjësisht vrasje të qëllimshme, me të vetmen arsye, sepse ato janë gra.
 
Komunikologu, Riad Ramadani, thotë se shkak i dhunës në familje është mungesa e komunikimit brendafamiljarë, madje ai shton se shumica e grave janë të varura ekonomikisht nga meshkujt dhe kjo i bën ato t’i nënshtrohen dhunës së vazhdueshme.
 
“Nuk qëndron problemi tek institucionet, por tek mentaliteti, nëse gruaja është e pavarur në një farë forme, do të ndjejë siguri në vetvete dhe nuk ka nevojë as institucioni ta mbrojë atë. Ka zgjedhje alternative, por meqë është e varur prej burrit ekonomikisht, psikologjia e saj e nënshtrimit do ta detyronte atë që të pranojë një pozitë të tillë të nënshtrimit. Tek ne nuk ekziston kulturë debative brendafamiljare, duhet shikuar çfarë mjetesh apo veglash përdorim gjatë komunikimit. Ne komunikimin e përdorim për të dominuar mbi njërin-tjetrin”,- deklaroi komunikologu, Riad Ramadani.
 
Qytetarët e anketuar gjithashtu thanë se ekziston dhunë ndaj grave në vendin tonë, por ato kanë frikë të denoncojnë rastet sepse institucionet shtetërore nuk ju dalin në mbrojtje.
 
“Rastet e dhunës në vendin tonë janë prezente, por për shkak të frikës dhe rrethit shoqëror të njëjtat nuk denoncohen. Institucionet shtetërore nuk i marrin përsipër këto raste dhe gratë detyrohen të qëndrojnë në vendet ku ushtrohet dhuna. Në mentalitetin tonë mbizotëron patriarkalizmi dhe gratë e zënë shumë normale të rrihen nga burrat”,- theksoi një qytetar.
 
“Ushtrohet dhunë, po, po! Por, varet prej mospasjes, varfërisë. Nuk ka prej nga të marrë, atëherë ushtron dhunë në familje. Nuk mendoj se kushtet ekonomike e arsyetojnë këtë. Kurrë nuk e arsyetoj, sepse edhe gruaja nuk do që ata mos të kenë”,- u shpreh një qytetar.
 
“Ushtrohet dhunë ndaj grave, ndaj fëmijëve, nuk janë të rralla këto raste, thuaj se për çdo ditë. Jam dëshmitar që ka pas raste të tilla, ka pas raste kur janë strehuar edhe te unë, për shkak të dhunës që është ushtruar ndaj femrës. Nuk kam dëgjuar ndonjë rast që thotë se më ndihmon shteti, ose më jep shteti ushqim. Ndërsa nëpër shtete të jashtme, shohim e dëgjojmë, atje gratë janë të mbrojtura nga institucionet, duke u siguruar strehë dhe ushqim”,- u shpreh një qytetar.
 
Prej nesër, në kuadër të fushatës globale “16 ditë aktivitete kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave", Zyra e Fondacionit “Friedrich Ebert” në Shkup, në bashkëpunim me organizata për mbrojtjen e grave dhe individëve të shumtë, do të ndajnë angazhimin për një shoqëri gjinore të barabartë në Maqedoni. Aktivitete të ndryshme do të zhvillohen për rritjen e vetëdijes në vendin tonë.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU