Maqedoni
Kuvend, pyetje deputetësh drejtuar ekzekutivit
24.11.2017 18:41
Qeveria Zaev për herë të parë u ballafaqua me institucionin Pyetje deputetësh, një llogaridhënie në Kuvend që duhet të ndodhur çdo muaj...

Deputetët parashtruan pyetje për më shumë çështje në kompetencë të qeverisë dhe ministrive përkatëse, pjesa më e madhe e pyetjeve drejtuar vetë kryeministrit, Zoran Zaev.
Deputeti i Lëvizjes BESA, ndër të tjera, pyeti kryeministrin se a do t’i përmbahet premtimit për hetim ndërkombëtar të rasteve të montuara politike.
“A mendoni të ndërmerrni ndonjë hap konkret dhe të ngrini iniciativë për ngritjen e ndonjë hetimi ndërkombëtar për sqarimin e këtyre rasteve, për shkak se kjo është një pengesë e madhe për rehabilitimin e marrëdhënieve ndëretnike në vend, por edhe për avancimin e Maqedonisë drejt BE-së dhe NATO-s?”,- theksoi deputeti i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi.
Zaev siguroi se premtimi qëndron në programin qeveritar dhe se në bashkëpunim me miqtë ndërkombëtarë po kërkojnë formulën se a do të realizohej ajo pa u shkelur pavarësia e pushtetit gjyqësor.
“Ne e kemi paraparë edhe në programin e qeverisë hetimin ndërkombëtar për raste për të cilat ka debat të hapur në RM. Ndërtohet mosbesim ndaj institucioneve, sidomos ndaj institucioneve të drejtësisë. Ato janë “Liqeni i Smillkovës”, rasti “Nikolla Mlladenov”, rasti “Kumanova”, “Lagja e trimave”, “Sopoti” dhe disa raste të tjera. Thelbi qëndron në atë se si të sigurohet hetim ndërkombëtar që qytetarët përfundimisht ta dinë të vërtetën”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
Ndërkaq, deputeti i opozitës, Ilija Dimovski, kërkoi sqarim nga Qeveria për shënimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve me simbol të BE-së.
“Prej nga vendimi që të vini simbolin e BE-së në atë ligj pa marrë parasysh aspektin e problemeve politike që u paraqitën në Kuvend si dhe komentin e eurokomisarit Han për këtë ligj, i cili dëshmon se ky ligj nuk është pjesë e prioriteteve të Maqedonisë në rrugën europiane?”,- theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski.
Sipas kryeministrit Zaev, ligji është pjesë e programit kombëtar në harmoni me të cilin vihet simboli i BE-së dhe është në vijë me përcaktimin për evropianizimin e vendit.
“Marrë parasysh se të drejtat e barabarta të qytetarëve janë edhe vlera europiane të miratuara sipas vendimeve, deklaratave, konventave dhe rezolutave të BE-së. Diçka me rëndësi në rrugën e evropianizimit të RM-së vendosëm të jetë pjesë e programit kombëtar, në harmoni me të cilin vihet simboli i BE-së. Komisari Han aludonte në atë se ka prioritete edhe më të mëdha në skedarin e reformave, siç janë reformat në gjyqësi, në Administratën Publike dhe shërbimet sekrete, por nuk kishte vërejtje se pse ishte me simbolin e BE-së ose jo”- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Edhe kanali i dytë në RTVM do të jetë 24 orë, vetëm në gjuhën shqipe. Deputeti Grupi pyeti ministrin e administratës a janë paraparë në buxhetin për vitin 2018 paratë e nevojshme për zbatimin e këtij projekti.
“Më intereson, në buxhetin e vitit të ardhshëm, në cilën pjesë të këtij buxheti parashihen këto tre milionë euro shtesë për Radiotelevizionin shtetëror, me të cilën do të rregullohet emetimi 24 orësh i këtij kanali në gjuhën shqipe, por edhe të një kanali të veçantë në gjuhët e komuniteteve të tjera në Maqedoni?”,- pyeti deputeti i BDI-së, Artan Grubi.
Mançevski konfirmoi se në buxhet janë paraparë para për një kanal të ri televiziv dhe nuk përjashtoi mundësinë që e njëjta të zbatohet edhe në Radio Shkupin.
“Në buxhetin që kemi paraparë është edhe ky aktivitet. Në vendin tuaj nuk do të isha mbështet në vlerësime financiare nga ana e RTVM-së. Pasi marrë parasysh gjendjen financiare në të cilën ndodhet, do kisha dashur të dëgjoj ndonjë burim më relevant me vlerësim se çdo të thotë zbatimin i një programi shtesë. Detajet se si do të zbatohet sërish janë çështje e menaxhmentit të RTVM-së”,- u shpreh ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Marjan Mançevski.
Deputetët parashtruan pyetje edhe për zhvillimet në fushën e ekonomisë dhe luftën kundër korrupsionit.
SHPËTIM NUREDINI
