Festat e nëntorit, historia jonë e lavdishme, e “qëndisur” në pëlhurë

25.11.2017 18:51

Mësuesit e parë, odat ku janë marrë vendime të rëndësishme...

Mësuesit e parë, odat ku janë marrë vendime të rëndësishme, pjesë nga traditat dhe kulturat mbarëshqiptare, si dhe kontributi i figurave me peshë kombëtare, si: Ismail Qemali, Abdyl Frashëri, Elez Jusufi, Iljaz Pashë Dibra, Bilall Çela, Bilall Ballanca e shumë të tjerë, për t’u përcjellë brez pas brezi historia dhe për të mos u lënë kurrë në harresë, njohësi i historisë si dhe piktori me renome në qytetin e Dibrës, Sabit Bocku, i ka nxjerrë në pëlhurë.

“I kam paraqitur gjithmonë figurat kryesore, duke filluar nga luftëtarët kombëtarë, si Elez Jusufi, që është një prej figurave më kryesore të Dibrës, i cili ka luftuar me Perandorinë Osmane njëkohësisht edhe me ushtrinë e Serbisë, pastaj Imer Prizrenin dhe vazhdon me luftërat në krahinën e Kosovës, kemi Bilall Çelan dhe Bilall Ballancan, kundërshtarë të sistemit të atëhershëm të Perandorisë Osmane”,- deklaroi piktori, Sabit Bocku.

Piktori, Sabit Bocku, më tej thotë se çdo herë ka qenë i interesuar për t’u njohur me punën dhe veprimtarinë e figurave tonë kombëtare dhe inspirimin e ka marrë prej Haki Stërmillit dhe Haki Sharofit, të cilët, siç thotë, i kanë dhënë mjaft informata me peshë historike. Andaj ai ka vendosur që bagazhi i historisë shqiptare t’i qëndrojë stoik kohës dhe me anë të brushës dhe pëlhurës t’i pikturojë, pasi arti është zanat që të lë gjurmë të thella në jetën e përditshme. Piktori vazhdon të ketë vullnet të pashtershëm për të vijuar të nxjerrë  historinë në pëlhurë.

“Dëshiroj që edhe më tutje të punoj dhe të jap kontribut, në qoftë se jam me shëndet mirë, pasi kam disa plane të mia, që dua t’i realizoj në të ardhmen”,- tha piktori, Sabit Bocku.

Me rastin e festave të nëntorit, piktori të martën hapi ekspozitën në Qendrën Kulturore “Koço Racin” në Shkup dhe të gjithë artdashësit që duan ta shikojnë historinë e shqiptarëve në pëlhurë, mund ta bëjnë deri në fund të javës. (Rina Turkeshi – Saiti, TVM2)