Dimitrov: Patriotizmi nënkupton shqetësim për shtetin
Maqedonia nuk duhet të ketë frikë dhe të hyjë në negociata me mirëbesim, në përpjekje për të kapërcyer dallimet...

Maqedonia nuk duhet të ketë frikë dhe të hyjë në negociata me mirëbesim, në përpjekje për të kapërcyer dallimet, ka thënë mes tjerash Ministri i jashtëm Nikolla Dimitrov duke folur për kontestin rreth emrit me Greqin, në intervistën javore për Radion Evropa e Lirë.
“Nuk do të negociojmë me frikë dhe nuk mund të dalim me një zgjidhje që nuk do të mbulojë shqetësimet tona kryesore. Ne duhet të gjejmë një mënyrë nga e cila të dy palët do të dalin me ndjenjën se kanë mbrojtur më të rëndësishmen”, deklaroi Dimitrov.
I pyetur se deri ku është e gatshme qeveria të shkojë dhe nëse do të ketë reciprocitet edhe nga pala greke në ndryshimin eventual të emrave të autostradës, monumenteve dhe rishikimin e teksteve shkollore, Dimitrov tha se kjo çështje nuk është diskutuar në Qeveri.
Me rëndësi është që të kuptohet se patriotizmi nënkupton shqetësim për shtetësinë dhe është thelbësore që të hiqen argumentet e atyre forcave politike në Greqi që kanë interes të vazhdojnë bllokadën, shton më tej Dimitrov.
