Botë

Ahmeti dhe Haskuka, rikonfirmohen kryetar i Prishtinës dhe Prizrenit

26.11.2017 16:12

Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe ai për komunën e Prizrenit Mytaher Haskuka...

Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe ai për komunën e Prizrenit Mytaher Haskuka edhe për katër vite do të udhëheqin me këto komuna.

Shpend Ahmeti i Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë më shumë vota edhe gjatë numërimit të votave me kusht, ato me postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta. Nga numërimi ai ka marrë 861 vota, kurse kundërkandidati i tij nga LDK ka marrë 733 vota.

Ky rezultat edhe një herë e vendos Shpend Ahmetin si fitues të zgjedhjeve në Prishtinë. Kështu ai rikonfirmohet edhe njëherë si kryetar i Prishtinës dhe do ta qeverisë atë për 4 vitet e ardhshme.

Edhe kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, është kryetar i ri i Komunës së Prizrenit, në bazë të rezultateve preliminare të KQZ-së.

Ky konfirmim erdhi pas numërimit të votave me kusht, të atyre me postë dhe të personave me nevoja të veçanta.

Kandidati i PDK-së, Shaqir Totaj, ndonëse pati më shumë vota në procesin e numërimit të votave me kusht, nuk ia doli të rrëzonte rezultatin e parë preliminar të KQZ-së për votat e rregullta. Haskuka ka siguruar 329 vota në procesin e fundit të numërimit, ndërsa Totaj 368.