“Monstra”, TVM2 vizitoi familjen Sejdi

01.07.2014 18:02

Ramiu thotë se jeta duhet të vazhdojë më tutje, por vështirë të harrohen përjetimet gjatë këtyre dy viteve........

Pas 26 muaj paraburgim, Rami Sejdi iu kthye ngrohtësisë familjare. Por edhe përkundër vendimit të lirimit që mori dje nga Gjykata, as ai e as familja e tij nuk janë të lumtur, pasi që të tjerët nuk u liruan bashkë me të.

Ramiu thotë se jeta duhet të vazhdojë më tutje, por vështirë të harrohen përjetimet gjatë këtyre dy viteve.

“26 muaj unë e kam prit dhe më në fund doli e drejta, shpresoj se edhe për ata të tjerët do të dalë e drejta. Normal që u ndjeva shumë keq, nuk munda të besoj, më erdhi shumë keq dhe shpresoj se edha ata do të tregojnë pafajësinë në instanca më të larta. Është pak vështir t’i harrojmë ato ditë, ato gjëra që më kanë ndeshur, por jeta do të vazhdojë edhe më tutje. Sa i përket punës, ndoshta do të vazhdoj pse jo edhe pse më kanë shkatërruar deri në fund, atë që jam munduar ta bëj me vite, ma shkatërruan, megjithatë do të mundohem të vazhdoj një jetë normale”, deklaroi i liruari nga akuza në rastin “Monstra”, Rami Sejdi.

Ai rrëfen edhe për përjetimet dhe ditët e kaluara në paraburgim. Ramiu ankohet për dhunë të ushtruar ndaj tij ditën e parë, më pas rrahjet kanë pushuar, por kushtet në burg kanë qenë jashtë normales.

“Ditën e parë kam qenë i rrahur nga ana e gardianëve të burgut, por më pas nuk kemi pasur problem, megjithatë kanë qenë kushtet shumë të vështira, burg më i keq jo vetëm këtu në Maqedoni, por edhe në Ballkan”, u shpreh i liruari nga akuza në rastin “Monstra”, Rami Sejdi.

Familjarët e Ramiut janë gëzuar nga kthimi i tij, por lumturia e tyre nuk është e plotë, pasi sipas tyre edhe të tjerët ishin të pafajshëm dhe duhet të liroheshin bashkë me Ramiun.

“Me të vërtet jo pse është liruar Ramiu, por kam edhe emocione pse nuk u liruan të tjerët, megjithëse flitet dhe kemi parë se nuk ka asnjë fakt që të mund t’i akuzojnë, por ata e bënë të vetën. Ramiu erdhi në shtëpi, jemi të lumtur, por të kishin dalë edhe të tjerët, do të ishte edhe shumë më mirë”, - theksoi babai i Rami Sejdit, Qemal Sejdi.

“Ne prej fillimit e kemi ditur se është i pafajshëm, por ishte një befasi shumë e madhe te si familje, se na e morën djalin dhe nuk e ditëm se pse na e arrestuan, se nuk kishim as një rast më herët që na ka bërë djali, ndonjë problem dhe ishte një mungesë e madhe se na ka munguar dy vite e dy muaj, mirëpo sido që të jetë, drejtësia e tregoi të veten, them pjesërisht, pasi që drejtësia nuk është e plotë, për shkak se edhe të tjerët që janë në burg unë sa kam mund ta hetoj, nuk kanë lidhje me rastin konkret dhe shpresoj se edhe ata një ditë do të kthehen në familjet e tyre”, - tha xhaxhai i Rami Sejdit, Aqif Sejdi.

“U gëzova shumë, sepse vëllanë tim e morën pa faj, unë isha duke fjetur, ata erdhën mes nate e morën në shtrat, unë u frikova shumë dhe tani jam gëzuar shumë”, - u shpreh vëllai i Rami Sejdit.

Rami Sejdi u arrestua më 1 maj të vitit 2012, nën dyshim të involvimit në vrasjen e pesëfishtë në afërsi të liqenit të Smillkovës, ndërsa Gjykata Penale në Shkup, dje e liroi nga akuza në mungesë të provave.

Gjashtë të akuzuarve të tjerë iu shqiptua dënimi me burg të përjetshëm. (Florije Kamberi, TVM2)