Maqedoni
Gjykata e Apelit - rasti “Mitmarrja”, anulohet seanca për shqyrtimin e video-incizimit në Youtube
27.11.2017 15:03
Gjykata e Apelit për kohë të pacaktuar ka anuluar seancën publike në të cilën duhej të shqyrtohen...

Gjykata e Apelit për kohë të pacaktuar ka anuluar seancën publike në të cilën duhej të shqyrtohen ankesat e mbrojtjes në rastin “Mitmarrja”, ku i akuzuar është kryeministri, Zoran Zaev. Si arsye për anulimin e seancës është largimi i gjykatësit të lëndës, Afrim Fidani, për shkak të emërimit të tij si gjykatës në Gjykatën Supreme, ndërkaq mbetet të zgjidhet gjykatësi i ri për të vendosur mbi lëndën.
Seanca publike ishte caktuar me qëllim që Apeli të vendosë për video-incizimet e publikuara në Youtube të kabinetit të kryetarit të atëhershëm të komunës së Strumicës, Zoran Zaev, që në këtë rast akuzohet se ka kërkuar ryshfet nga biznesmeni i Strumicës në vlerë prej rreth 160 mijë euro për vend ndërtimor në Strumicë.
Në seancë ishin të pranishëm avokatët e kryeministrit Zaev, të cilët duhej të elaboronin arsyen se pse kërkojnë që ky video-incizim të mos përdoret si dëshmi në procedurën e mëtejshme për këtë lëndë. Ata vlerësojnë që ky incizim duhet të ndahet nga dëshmitë, pasi që është publikuar në disa media, ndërkaq bëhet fjalë për incizim të fshehtë. Në Gjykatën Penale për këtë rast është caktuar seancë gjyqësore për më 25 dhjetor.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
