Maqedoni
Samuel Zhbogar: Një sërë projektesh për Kumanovën
27.11.2017 15:51
Në kuadër të projektit “BE për Ty”, ambasadori i Bashkimit Europian, Samuel Zhbogar, sot vizitoi komunën e Kumanovës....

Në kuadër të projektit “BE për Ty”, ambasadori i Bashkimit Europian, Samuel Zhbogar, sot vizitoi komunën e Kumanovës, ku u takua me të parin e kësaj komune, Maksim Dimitrievski. Gjatë takimit është biseduar për problemet me të cilat përballet komuna si dhe për implementimin e një sërë projektesh, të cilat BE i financon në Kumanovë.
“Biseduam për implementimin e një numri të madh të projekteve, e sidomos për projektin me investim prej 4 milion eurosh për kanalizimin fekal, si dhe për investimet në të ardhmen dhe rreth problemeve me të cilat përballet komuna jonë”,- tha mes tjerash kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
Ndërkaq, euroambasadori, Samuel Zhbogar, tha se është biseduar edhe për një projekt tjetër të madh, siç është trajtimi i plehrave në Kumanovë.
“Sot biseduam për projekte të shumta, ndër të cilat edhe rreth projektit për trajtimin e plehrave, projekt ky që do të realizohet në Kumanovë gjatë viteve të ardhshme. Por, ekzistojnë edhe një sërë projektesh tjera të cilat BE i financon në Kumanovë, andaj takimi i sotëm ishte rast i mirë për t’u shënuar bashkëpunimi i mirë që BE e ka me komunën e Kumanovës. Me kryetarin e Kumanovës biseduam edhe rreth problemeve dhe sfidave me të cilat përballet komuna”,- deklaroi ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar.
Zhbogar gjithashtu paralajmëroi një vazhdimësi të bashkëpunimit të shkëlqyeshëm të BE-së me komunën e Kumanovës.
NEXHAT AQIFI
