Maqedoni
Zhbogar: BE kërkon përkushtim në realizimin e reformave; Osmani: Në dhjetor duhet të sillen ligjet konkrete
27.11.2017 16:14
Bashkimi Europian kërkon të shohë përkushtim për realizimin e reformave jo vetëm nga Qeveria, por edhe nga Kuvendi dhe partitë politike...

Qëndrimin e Brukselit zyrtar e përsëriti euroambasadori, Samoel Zhbogar, duke shtuar se reformat po ndodhin në pajtueshmëri me planin 3-6-9, pasi disa ligje tanimë janë miratuar në Kuvend, ndërsa ekziston plan i qartë se si institucionet të ballafaqohen me materialet e përgjuara dhe vetë pajisjen, i cili tanimë ekziston në kuadër të DSK-së, ndërsa ekziston plan edhe për publikimin e shpalljes publike për vendet e punës në institucionet e pavarura.
"Mendoj se procesi i reformave ka filluar mirë. Ne i gëzohemi vazhdimit të këtij procesi të reformave. Kuptohet që duhet nga vetë institucionet shtetërore të sjellin rezultate dhe nëse institucionet vazhdojnë me rezultate të këtilla, kuptohet se kjo do të ketë efekt pozitiv ndaj vetë marrëdhënieve midis BE-së vitin e ardhshëm. Në këtë kontekst shohim bashkëpunim konstruktiv midis Qeverisë dhe opozitës, gjegjësisht partive në Kuvend dhe ne si Bashkim Europian e inkurajojmë këtë proces dhe shpresojmë se ky lloj i bashkëpunimit midis partive politike në Kuvend do të vazhdojë në të ardhmen dhe do të japë rezultate",- deklaroi ambasadori i BE-së, Samoel Zhbogar.
Zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, nga ana tjetër thotë se qeveria vazhdon të jetë e përkushtuar në implementimin e planit 3-6-9, për çka kërkon angazhimin dhe mbështetjen e të gjitha grupeve të interesit. Javët në vijim janë shumë të rëndësishme për vendin, prandaj nevojitet konsensus nacional, thekson Osmani.
“Tani është pjesa sfiduese, tani është pjesa kur sillen ligjet konkrete, ku bëhen reformat në tre shtyllat e rëndësishme gjyqësore, administratë publike dhe shërbimet e inteligjencës, deri në fund të muajit dhjetor e kemi shumë me rëndësi, e ka me rëndësi edhe KE, sjelljen e Ligjit për anulimin e Këshillit për verifikimin e fakteve, ndryshimet e Ligjit për Këshillin Gjyqësor dhe Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve. Ta miratojmë strategjinë për gjyqësorin në qeveri”,- u shpreh zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
Ligjet tjera janë të paraparë për fillimin e vitit të ardhshëm, tha Osmani, i cili theksoi se nëse nuk miratohen këto ligje nuk do të mungojnë kritikat në raportin e BE-së për Maqedoninë, i cili fillon të shkruhet në janar të vitit të ardhshëm. Sa i përket kontestit me emrin, Osmani tha se në dhjetor pritet propozimi i ndërmjetësit Nimic dhe më pas do të tentohet arritja e konsensusit kombëtar rreth zgjidhjes përfundimtare.
GAZMEND KURTISHI
