Maqedoni
Kuvend, fillon shqyrtimi i projekt buxhetit për vitin 2018. Tevdovski: buxhet për zbatimin e prioriteteve. Memeti: AP, për herë të parë ka buxhetin e duhur
27.11.2017 17:00
Arka e shtetit për vitin 2018 parashihet të ketë rreth 3.145 milionë euro...

Arka e shtetit për vitin 2018 parashihet të ketë rreth 3.145 milionë euro, ndërkaq shpenzimet planifikohet të arrijnë në 3.4 miliardë euro.
Sipas ministrit të Financave, Dragan Tevdovskit, propozim buxheti i Republikës së Maqedonisë për vitin 2018 reflekton angazhimin e qeverisë së re për të arritur qëllimet kryesore dhe prioritet në shoqëri, shkallë më të lartë të rritjes së ekonomisë, rritjen e punësimit, rritjen e standardit jetësor të qytetarëve, arritjen e një niveli më të lartë të drejtësisë sociale dhe intensifikim të proceseve euroatlantike për në BE dhe NATO.
“Propozim buxheti e paraqet përcaktimin tonë për shpenzim transparent, efikas dhe me interes shoqëror të parave të popullit”,- deklaroi Tevdovski para deputetëve në Komisionin për financa dhe buxhet, ku filloi shqyrtimin e projekt buxheti për vitin 2018.
“Ashtu siç mund të shihet nga propozimi, paratë e popullit do të shpenzohen në masat e duhura që do të kontribuojnë në përmirësimin e ekonomisë dhe jetës së qytetarëve dhe jo për shpenzime koti dhe projekte të panevojshme. Në propozim buxhetin për vitin 2018 janë paraparë më shumë para për shtyllat kryesore në shoqëri. Paga më të larta në armatë, shëndetësi, arsim dhe kujdesin për fëmijët. Më shumë para për t’u afruar më afër standardeve të NATO-s, për mbështetje të ndërmarrjeve vendore dhe para për masa për punësim, si dhe për investime kapitale. Ka para edhe për kthimin e borxheve që janë marrë më parë dhe detyrime të papaguara”,- u shpreh ministri i Financave, Dragan Tevdovski.
Me projekt buxhetin e vitit 2018 parashihen më shumë para për Avokatin e Populli. Ixhet Mehmeti, me lëvdata për qeverinë e re. “Për herë të parë buxhetin për AP e kemi dakorduar bashkë me Qeverinë”,- tha Memeti.
“Më lejoni fillimisht t’u informoj se buxheti për vitin 2018, krahasuar me buxhetin rrjedhës për institucionin AP është rritur për 4.2%, që nuk ka ndodhur deri më tani, i cili të paktën jep shpresë se institucioni do të mund të zbatojë atë që është paraparë më ligj dhe kushtetutë. Dua t’u njofton edhe për një çështje tjetër. Për herë të parë ndodh që në Maqedoni institucioni AP, së bashku me propozuesin e buxhetit, pra me qeverinë, të harmonizojë, përkatësisht të dakordojë buxhetin, që është për të përshëndetur”,- u shpreh avokati i popullit, Ixhet Memeti.
Opozita kërkoi kohë për të shqyrtuar ekspozenë e ministrit të Financave.
“Të dhënat që paraqitët para ne deputetëve janë me rëndësi të posaçme për debatin e mëtejmë, prandaj në emër të grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së dhe të Koalicionit për Maqedoni më të Mirë kërkoj një orë pauzë, pasi erdhëm në përfundim se na duhen rreth 45 minuta për të përgatitur ekspozenë e fjalimit të ministrit dhe më pas do të vazhdojmë me punë”,- theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Kërsto Mukovski.
Deficiti buxhetor i projektuar për vitin 2018 është 18.2 miliardë denarë, përkatësisht 2.7% të BPV-së, që sipas propozuesit është në harmoni me përcaktimin për konsolidim fiskal gradual.
“Përveç mbulimit të deficitit, në vitin 2018 do të duhen edhe 22.7 miliardë denarë për shlyerjen e borxheve të vjetra, me çka nevojat e përgjithshme për financim në 2018-ën janë 40.9 miliardë denarë”,- theksoi ministri Tevdovski, duke shtuar se këto nevoja për financim do të sigurohen përmes kombinimit të huamarrjes nga jashtë dhe huamarrjes në tregun vendor të bonove me vlerë.
SHPËTIM NUREDINI
