Maqedoni
Rasti “Titanik”, Temellko në arrest shtëpiak
27.11.2017 17:36
Gjykata Penale në Shkup ka zëvendësuar masën e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak për kryetarin e komunës së Pustecit...

Edmond Temellko akuzohet në rastin “Titanik” për parregullsi zgjedhore. Si i akuzuar nga Prokuroria Speciale, Temellko u mbajt në paraburgim, pasi që nuk respektoi masat e shqiptuara të kujdesit si dhe atë për moslëshim të shtetit dhe paraqitje të rregullt në gjykatë. Ai paraburgim qëndroi rreth 2 muaj.
Ndërprerjen e kësaj mase e kanë kërkuar disa organizata qytetare si dhe opozita e VMRO-DPMNE-së për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të të akuzuarit.
Me të, në rastin “Titanik” të akuzuar janë edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, ish-ministrat, Gordana Jankullovska dhe Mile Janakievski, ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Kirill Bozhinovski, shefi i kabinetit të Gruevskit, Martin Protugjer, dhe persona të tjerë.
Nga VMRO-DPMNE nuk janë të kënaqur me këtë vendim dhe kërkojnë që i njëjti të lirohet plotësisht.
“60 ditë në trajtim të keq, ruhet luftëtari i të drejtave të njeriut dhe kryetari i komunës i vetëm maqedonas, Edmond Temelko. Ai mori edhe 30 ditë paraburgim, ndërsa PPS refuzoi kërkesën e avokatëve që të premten ai të lirohet. Vendimi për burg shtëpiak është sjellë pas paralajmërimeve për protesta. Ai është vendim i imponuar. Vendimi për paraburgim shtëpiak nuk është i mjaftueshëm. Ai të lirohet edhe nga paraburgimi shtëpiak, pasi nuk është fajtor për asgjë”,- thonë nga VMRO.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
