Maqedoni

Debat, sfidat e redaksive në Servisin publik

27.11.2017 17:49

Qeveria ka vullnet për zgjidhjen e problemit të sfidave mes redaksive më të vogla në Kanalin e dytë publik...

Qeveria ka vullnet për zgjidhjen e problemit të sfidave mes redaksive më të vogla  në Kanalin e dytë publik dhe kjo çështje do të rregullohet me ndryshimet në Ligjin për shërbime audio dhe audio-vizuele.
 
Por, gjithsesi, një pjesë e menaxhimit dhe reformave u takon edhe nëpunësve në këtë medium, deklaruan autoritetet qeveritare në debatin për sfidat dhe përforcimin e kapaciteteve të redaksive të vogla  në servisin publik.
 
“Për fat të keq u gjetëm në situatë në të cilën si bartës i ndryshimeve duhet të jetë qeveria. Por, mendoj të kundërtën, se motor i reformave në media duhet të jenë punëtorët e mediave, asociacionet mediatike dhe shoqëritë”,- u shpreh ministri i Shoqërisë Informatike, Damjan Mançevski.  
 
“Do të ketë shumë sfida. A do të ketë buxhet, a do të jetë i mjaftueshëm?! Por, baza është një. Kemi vullnet të fillojmë t’i zgjidhim problemet. Nuk do të bëhet për tërë natën, por kemi qëllimin  e pastër, të ngjitemi drejt zgjidhjes së problemeve kyçe, e ajo është që Servisi publik të marrë rolin e servisit të vërtetë publik”,- u shpreh ministri pa resor për komunikim, Robert Popovski.
 
Për t’u sistematizuar redaksitë e vogla në një kanal të katër, siç e ka paraparë ligji, nevojitet kuadër i ri, teknologji dhe teknikë, tha kryeredaktorja e Servisit të dytë publik, Migena Gorenca.
 
“RTVM - Servisi i dytë publik, ku janë edhe redaksitë e komuniteteve të vogla, funksionon sipas principit të dëshirës. Kështu funksionojmë. A duhet të jetë kështu? Gjithsesi se jo! A mundet ndryshe momentalisht? Jo nuk mundet.”,- deklaroi kryeredaktorja e Servisit të dytë publik, Migena Gorenca.
 
Nëpunës të rinj, teknikë dhe teknologji shtesë kërkojnë edhe redaksitë më të vogla në Servisin e dytë publik.
 
“Nëse formohet kanali i 4, në krye të tij duhet të jetë dikush nga këto redaksi. Kam fjalën jo të na vijë dikush nga nacionalitetet tjera”,- u shpreh përfaqësuesi i redaksive të vogla, Erdem Ahmet.
 
Këto probleme kanë ardhur si rrjedhojë e Buxhetit të  pamjaftueshëm për RTVM-në, tha kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
 
“Një nga arsyet përse ne kërkojmë më tepër mjete për RTVM-në është pikërisht gjendja e komuniteteve më të vogla në Maqedoni”,- theksoi kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
 
Servisi publik është e vetmja mundësi ku komunitetet e vogla mund të dëgjojnë lajme dhe të tjera në gjuhën e tyre amtare dhe shpresojmë këtë problem ta zgjidh qeveria, thanë nga misioni i OSBE-së në Maqedoni.
 
“Shpresojmë se qeveria dhe organet tjera të përfshira me rëndësi, do të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre, ta përkrahin punë e këtyre redaksive”,- potencoi zëvendësshefi i OSBE-së në Maqedoni, Xhefri Goldshtejn.  
 
Nevojën për financim adekuat dhe përforcimin e kapaciteteve në këtë Servis publik e kishte parë eksperti mediatik, Xhonatan Stonmen, pas një vizite që i kishte bërë Kanalit të dytë publik pranë RTVM-së.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU