Maqedoni
Rasti “Monstra”, në pritje të vendimit të Gjykatës Penale
27.11.2017 18:27
Edhe pse pritej që gjatë ditës së sotme Këshilli pranë Gjykatës Penale të vendosë për masën e paraburgimit për të akuzuarit në rastin “Monstra”...

Edhe pse pritej që gjatë ditës së sotme Këshilli pranë Gjykatës Penale të vendosë për masën e paraburgimit për të akuzuarit në rastin “Monstra”, përkatësisht nëse të akuzuarit do të mbrohen në liri apo do të vazhdojnë të mbeten në paraburgim, gjatë ditës së hënë nuk pati asnjë lëvizje në këtë drejtim.
Nga Gjykata Penale për TVM2 njoftojnë se lënda akoma zyrtarisht nuk është sjellë në këtë gjykatë. Mundësia që të akuzuarit të mbrohen në liri u krijua pas vendimit të Gjykatës Supreme që lënda për këtë rast të kthehet në rigjykim, duke shfuqizuar vendimin e shkallës së parë dhe asaj të Apelit, ku ishin të paraparë gjashtë dënime me burg të përjetshëm.
Avokatët mbrojtës konstatojnë se të akuzuarit duhet të mbrohen në liri, pasi që tani më janë plotësuar të gjitha parakushtet, kanë kaluar dy vite nga aktakuza ku nuk kemi vendim të plotfuqishëm.
Edhe familjarët e të akuzuarve mbetën me shpresë se mëngjesin e së martës lënda do të arrijë në Gjykatën Penale dhe e njëjta do të sjellë vendimin e shumëpritur për lirimin e të akuzuarve që ata të mbrohen në liri.
Sipas njoftimeve të avokatit mbrojtës, Naser Raufit, rigjykimi pritet të fillojë në fillim të vitit të ardhshëm dhe i njëjti nuk duhet të stërzgjatet.
Që lënda të kthehet në rigjykim, përveç mbrojtjes, ka kërkuar edhe prokurorja publike, Liljana Spasovska, pasi që sipas saj tani ekzistojnë rrethana të reja lidhur me rastin,duke aluduar në përgjimet e opozitës që kanë të bëjnë me rastin.
Për vrasjen e pesëfishtë tek liqeni i Smillkovës, më 12 prill të vitit 2012, u dënuan me burg të përjetshëm gjashtë persona, ndërsa një u lirua nga akuza.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
